Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, ku u pretendua për të shtëna me armë në rrugën “Misto Mame” në Tiranë.
Policia thotë se si nga grupi që shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes së pretenduar dhe nga patrulla që ndodhej aty pranë, nuk është konstatuar asnjë incident i tillë.
Sakaq, blutë e Tiranës i bëjnë thirrje portaleve që publikuan lajmin e rremë, të mos përhapin panik.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një lajm të publikuar në portale për të shtëna me armë zjarri në një lokal në Misto Mame, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë.
Më datë 10.03.2022, rreth orës 17:40, në sallën operative ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se nuk ka pasur të shtëna me armë.
Në vendin ku është pretenduar se ka pasur të shtëna, ka pasur dhe punonjës të Policisë Rrugore të planizuar me shërbim, të cilët nuk kanë konstatuar një gjë të tillë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon mirëkuptimin e mediave për të mos përhapur panik, por para se të publikojë lajme të kërkojnë informacion pranë DVP Tiranë.