‘U këput një këmbë mali,Kallarat të iku djali,Të iku bilbili i këngës,Shkoi në gjirin e nënës’

AJO KËNGË QË S’U KËNDUA
(Nga këngëtarja kallaratase, Evgjeni Jonuzaj, dedikuar me dhimbje e lot, bashkëfshatarit, bashkëmoshatarit, kolegut të saj, Hyso XHAFERAJ)
Para pak pandemisë në një bisedë me Hyson menduam të realizonim disa këngë me grupin polifonik të fshatit duke përfshirë të gjithë brezat edhe një elegji me Hyson, Zeqon dhe unë. Por nuk qe e thënë, se ti ike para kohe, ike pa na lajmëruar. Ike atje lart në qiell, ku ti nuk duhej të ikje. Ike dhe na le të shtangur. Të jap fjalën që ne do ta realizojmë, sepse zërin tënd e kemi këtu midis nesh, zërin nuk e more me vete, na e le si kujtim për gjithë jetën.
———————————————————–
…u rritëm bashkë, kënduam bashkë. Hyso ti ike dhe na le të qajmë vetëm, të qajmë për ty.
U këput një këmbë mali,
Kallarat të iku djali,
Të iku bilbili i këngës
Shkoi në gjirin e nënës
Iku Hyso këngëtari
Zëri si bilbil gjyzari,
Iku Hyso bukuria,
Djali që kish Labëria.
Iku Hyso Kallarati,
Ashtu qe i shkruar fati.
La në mes këngën me mua
Ajo këngë që s’u këndua …
I përjetshëm në kujtimet tona, o Hyso!

Loading...