Avokatja e njohur tregon çfarë rrezikon këngëtarja/ Sa vite burg mund të dënohet Elsa Lila?

Avokatja e njohur, Elierta Myftari, komentoi sot për emisionin ‘Wake Up’ arrestimin e këngëtares shqiptare, Elsa Lila nga policia italiane.
E pyetur nga moderatorët e programit se me sa vite burg mund të dënohet Lila, avokatja tha se duhet të kemi parasysh fazën që janë hetimet tani.

“Faktikisht janë ekzekutuar urdhrat e arrestit edhe pse ato që janë aktualisht në ngarkim të personave të hetuar, janë vetëm indicie. Domethënë nuk bëhet fjalë ende për prova. Mund t’i quajmë prova vetëm në përfundim të një procesi ku personat do të gjykohen. Nga ato që kanë dalë në mediat italiane dhe shqiptare.

Krimet që mund t’i kontestohen personave që janë të përfshira në këtë hetim, nuk janë absolutisht krime të lehta. Përveç trafikimit të drogës, këtu krimi më i rëndë është krimi i organizuar, organizatë e tipit mafioz, e strukturuar”, tha Myftari.

Avokatja shtoi se dënimet për krimin e organizatës mafioze janë të larta dhe fillojnë nga 10-15 vite burg për anëtarët e thjeshtë.
Ndërsa duke folur për rastin e këngëtares së njohur, avokatja tha: “Nuk dihet akoma nëse është e mundur t’i kontestohet pjesëmarrja në organizim të tipit mafioz. Do shihet nga faktet që do mblidhen se sa ajo ishte në dijeni të aktivitet që zhvillonte. Flitet që ajo mbante llogaritë e pjesës ekonomike të organizatës, por duhet parë gjithmonë sa ishte në dijeni të aktiviteteve që kryheshin”, u shpreh ajo.

Myftari shtoi më pas se procesi i gjykimit të grupit të Elsa Lilës do të zgjasë me vite.

“Vështirë që një proces kaq i komplikuar të zgjasë pak, sidomos kur janë të përfshirë shumë persona dhe ka shumë mundësi që të shtohen edhe të hetuar të tjerë. Parashikoj vite”, përfundoi avokatja.

Loading...