Vendet perëndimore akuzohen se kanë furnizuar Rusinë me armë që tani po shkaktojnë tragjedi në Ukrainë.
Sipas”The Sun”, rezulton se 10 shtete anëtare të Bashkimit Europian i kanë shitur Rusisë qindra miliona paund pajisje ushtarake mes viteve 2015 dhe 2020, dhe këto armë tani po përdoren për të masakruar ukrainasit.
Parisi dërgoi bomba, raketa dhe eksplozivë, si dhe kamera termike për 1000 tanke dhe detektorë infra të kuqe për avionët. Berlini ndërkohë i shiti të ashtuquajturat pajisje me përdorim të dyfishtë, përfshirë pushkë, automjete me mbrojtje speciale dhe anije akullthyese, ndërsa Roma i siguroi makina të blinduara.
Shtetet e BE-së, përfshirë edhe Britaninë e cila në atë kohë ishte anëtare e Unionit, goditën Rusinë duke vendosur një embargo për armët në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Moska.
Por, këto shtete shmangën embargon duke rinisur kontratat e nënshkruara më parë me Moskën për shitjen e armëve. Sipas një hetimi të Investigate Europe shtetet e BE lëshuan më shumë se 1000 licenca pas ndalimit.
Franca i shiti Kremlinit pajisje ushtarake me vlerë 130 milionë paund, Gjermania 100 milionë paund dhe Italia 19 milionë paund.
Pavarësisht se BE vendosi një embargo për shitjet e armëve, faqja investigative Disclose raporton se mes viteve 2015 dhe 2020, Franca lëshoi 76 licenca eksporti në Rusi për pajisje ushtarake.
Dhe sipas një raporti të Investigate Europe, dhjetë vende anëtare të BE-së vazhduan të dërgonin armë në Rusi pas embargos, përfshirë Austrinë, Bullgarinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Finlandën, Sllovakinë dhe Spanjën.
Shifrat nga Grupi i Punës i Këshillit të BE-së për Eksportet e Armëve Konvencionale tregojnë se dhjetë shtetet e BE-së kanë eksportuar pajisje ushtarake me vlerë gjithsej 291 milion paund në Rusi midis 2015 dhe 2020.
Franca thuhet se përbënte 44 për qind të shitjeve, përfshirë avionë, sisteme navigimi, silure dhe raketa.
Britania i shiti gjithashtu armë Rusisë pas vendosjes së embargos, por me vlerë vetëm 1.7 milionë paund.
Dhe pasi shmangu embargon ruse të armëve, Gjermania u kritikua nga kryetari i bashkisë së Kievit pasi ofroi të dërgonte 5000 helmeta për të mbështetur forcat ukrainase kundër trupave të Putin.
Ish-boksieri Vitali Klitschko u tall me ofertën, duke pyetur se mos dëshironin të dërgonin jastëkë në vend të helmetave, pasi Berlini refuzoi të dërgonte armë në Ukrainë.