Një avion ushtarak amerikan me katër persona në bord është rrëzuar në veri të Norvegjisë mbrëmjen e së premtes.
Reuters raporton se bëhet fjalë për një avion V-22 Osprey, i cili po merrte pjesë në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Cold Response”. Burime për Reuters bëjnë të ditur se moti ka qenë i keq në kohën kur avioni ka humbur kontaktet.
Ndërkohë, ende nuk dihet fati i 4 personave në bordin e avionit.
Pas lokalizimit të vendit të rënies së helikopterit, Bent Arne Eilertsen, shefi i shtabit të policisë në Nordland, i tha transmetuesit publik NRK:
“Helikopteri i shpëtimit ka bërë vëzhgime dhe ka parë dëmtime të mëdha në aeroplan. Në orën 2:15 të mëngjesit me kohën lokale të shtunën (21:15 të premten ET) Ekuipazhet tokësore i afrohen zonës ku ndodhet avioni. Ajo që na është thënë është se është një avion amerikan me amerikanë në bord”.
Ai tha se operacioni i shpëtimit po kryhej në errësirë dhe mot të keq, që do të thotë se policia dhe ekipet e shpëtimit duhet të “hyjnë në zonë përmes rrugës tokësore” dhe të përdorin makina dëbore për të arritur në vendngjarje.
Reshjet, rreziku i orteqeve, era dhe errësira e bëjnë një operacion të tillë shpëtimi të kërkuar”, tha ai.
Autoriteti i Hetimit të Sigurisë së Norvegjisë dhe Shërbimi Kombëtar i Hetimit Kriminal do të mbërrijnë në Bodø, në veri të Rrethit Arktik, të shtunën për të filluar hetimin e tyre në aeroportin e qytetit. Sipas NRK, për shkak të motit të keq, ata me shumë gjasa do të shkojnë në vendin e rrëzimit të dielën.
Trupat e Marinës amerikane falënderuan autoritetet norvegjeze për operacionin e shpëtimit, duke thënë në një deklaratë: “Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tyre dhe do t’i ndihmojmë ata në këtë kërkim dhe shpëtim në të gjitha mënyrat e mundshme”.