24 orët e fundit, raportime në media nga të gjitha zonat bregdetare kanë bërë të ditur një tërheqje të dukshme të detit nga toka, e cila në bregdetin e Shëngjinit arrinte deri në 20 metra.
Fenomeni i zbaticës së theksuar është konstatuar edhe në Durrës e Vlorë. Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD dhe një njohës i mirë i detit, profesor Osman Metalla, ka shpjeguar përmes një statusi në rrjete sociale arsyet e këtij fenomeni që ka habitur jo pak qytetarët.
I ndodhur përpara pyetjeve të bëra në adresë të tij nga shumë qytetarë, Metalla shkruan se një fenomen të tillë e ka konstatuar edhe ai vetë në janar të vitit 2018.
Postimi i plotë:
Kam dëgjuar shumë njerëz që pyesnin sot: Ç‘është kjo zbaticë kaq e theksuar?
Një fenomen i cili ishte vënë re nga shumë njerëz edhe për faktin se ishte dite e bukur e me diell dhe mjaft qytetarë kishin dalë ta shijonin këtë ditë buzë detit. Dhe largimi i dukshëm i detit i kishte bërë kurioz, Për më tepër më erdhi një foto nga miku im Arian Dedej, i cili më bëri të njëjtën pyetje: Përse është ulur kaq shumë niveli i detit? Dhe për rastësi fotoja që më erdhi ishte marrë pikërisht nga pothuaj i njëjti pozicion që unë kisha bërë foto në janar të vitit 2018. Dhe zbatica duket pothuaj e njëjtë…
Në fakt uljet dhe ngritjet periodike të nivelit të detit njihen me emërtimin batica dhe zbatica, të cilat ndodhin në mënyrë periodike afro çdo 6 orë. Lëvizja e Hënës përreth Tokës bëhet në një kohë prej 24h49m, dhe njëkohësisht distanca e Hënës nga Toka nuk është gjithnjë e njëjtë. Në këtë moment që po shkruaj distanca e Hënës nga Toka është 227 326 milje dhe kjo distancë është e ndryshueshme (marre nga aplikacionet).
Njëkohësisht edhe Dielli ka tërheqje gravitacionale Në momentin kur Toka, Hëna dhe Dielli janë të rreshtuar fuqia e tyre gravitacionale rritet duke shkaktuar ato që njihen si baticat dhe zbaticat pranverore të cilat janë mjaft të dukshme si rasti i këtyre ditëve. Gjithsesi janë astronomët ata që duhet të na thonë diçka më shumë…