Një peticion që bën thirrje që presidenti rus Vladimir Putin të përballet me një gjyq për krime lufte tani është nënshkruar nga pothuajse 1.5 milion njerëz në mbarë botën.
Organiztorët shpresojnë se fushata virale, e cila filloi vetëm tetë ditë më parë, mund të detyrojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) me bazë në Hagë të fillojë procedurat kundër Kremlinit.
Aktivistët fillimisht kërkuan një milion nënshkrime dhe e kanë kaluar këtë objektiv gjatë dy ditëve të fundit. Objektivi i ri është 1.5 milion, shkruan Daily Mail.
Sipas organizatorëve, qytetarët në mbarë botën shpresojnë se fushata e tyre do të detyrojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë të nisë procedurat përkatëse kundër presidentit rus për krimet e luftës që ka bërë dhe që po vazhdon të bëjë në Ukrainë.
Më 3 mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë konfirmoi se po hap një hetim për krime të mundshme lufte në Ukrainë dhe filloi mbledhjen e provave.
Procesi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale është përshpejtuar pasi 38 vende kanë dorëzuar zyrtarisht raporte të mizorive.
Kjo është kërkesa më e madhe që gjykata ka marrë ndonjëherë.
Si përcaktohen krimet e luftës
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë i përkufizon krimet e luftës si “shkelje serioze” të Konventave të Gjenevës të miratuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe përcaktojnë ligjet humanitare që duhen respektuar në kohë lufte. Shkelje të tilla janë shënjestrimi i civilëve dhe sulmet ndaj objektivave ushtarake që rezultojnë në viktima “të tepërta” civile.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë akuzojnë Rusinë se sulmon civilët pa dallim, diçka që Moska e mohon. Ish-Bashkimi Sovjetik ratifikoi Konventën e Gjenevës në vitin 1954. Në vitin 2019, ai tërhoqi njohjen e njërit prej protokolleve të Traktatit, por mbetet partner në marrëveshjet e tjera.
Si mund të zhvillohet rasti
Sipas Reuters, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale Karim Kahn deklaroi pak ditë më parë se po hap një hetim për krime të mundshme lufte në Ukrainë.
As Rusia dhe as Ukraina nuk janë anëtarë të gjykatës dhe Moska nuk e njeh gjykatën. Ukraina, megjithatë, i ka dhënë pëlqimin gjykatës për të hetuar çdo krim në territorin e saj që nga aneksimi i Krimesë në Rusi në 2014.
Rusia ka shumë të ngjarë të vendosë të mos bashkëpunojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe çdo gjyq do të shtyhet derisa të pandehurit të arrestohen.
Kush mund të ndiqet penalisht
Hetimet e krimeve të luftës mund të përqendrohen te ushtarët, komandantët dhe krerët e shtetit. Prokurorët mund të tregojnë se Putini ka kryer krime lufte duke urdhëruar sulme të paligjshme ose duke dështuar në parandalimin e krimeve për të cilat kishte mësuar.
Megjithatë, është e vështirë të provohet një lidhje midis urdhrave të një lideri dhe krimeve në fushën e betejës, tha Astrid Reisinger Korasini nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës. “Dhe sa më lart të shkojmë, aq më e vështirë bëhet,” tha ai.