Konfirmohet gripi i shpendëve në fshatrat e Divjakës. Bëhet me dije se kanë dalë këtë të enjte analizat e pulave të ngordhura në fshatin Gur të Divjakës, ku është konfirmuar prezenca e virusit H5N8.
Kujtojmë se deri më tani, krahas Divjakës prezenca e gripit të shpendëve është konfirmuar në qarqet e Dibrës, Korçës dhe Durrësit. Vetëm në harkun kohor të 24-orëve të fundit kanë ngordhur më shumë se 23 000 pula, duke e çuar në 832 mijë numrin e atyre që kanë ngordhur që nga data 7 mars, kur u shfaqën shenjat e para të sëmundjes së konfirmuar pas gati dy javësh.
Shifra është bërë publike nga Ministria e Bujqësisë në raportimin e së enjtes.
Në kushtet kur virusi ka marrë përmasë të gjerë duke prekur disa nga stabilimentet kryesore që furnizojnë me vezë gjithë vendin, e gjithë përpjekja tanimë është kufizuar në izolimin e H5N8.