Nga sot akrepat shkojnë 60 minuta para! Por a keni pyetur ndonjëherë veten pse ndodh kjo?

Më shumë ditë dhe më pak natë. Kështu jemi mësuar të themi zakonisht kur ora verore rikthehet të dielën e fundit të marsit. Sot Shqipëria ka kaluar me orën verore dhe akrepat e orës kanë shkuar 60 minuta para natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës 27 mars 2022. Orët që kërkojnë ndërhyrje manuale duhet të zhvendosen me një orë përpara, nga ora 2:00 deri në 3:00.

Pra do të flini pak më pak, por nga ana tjetër regjimi i ri do t’ju lejojë të përfitoni nga rrezet e diellit deri vonë, edhe falë zgjatjes së ditëve që sjell vera.

Ndryshimi i akrepave është një proces i unifikuar në gjithë vendet e Evropës. Ndryshimi i saj u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Norma evropiane përcakton datat e fillimit të orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ato kthehen 1 ore pas.

Ndërrimi i orës ka qëllim kursimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e dritës se diellit. Pas ekuinoksit pranveror dita ka filluar të zgjatet dhe kulmin e saj e arrin në 22 qershor, me 15 orë ditë dhe vetëm 9 orë natë.

Koha e verës: Udhëzimet për përdorim

Ndryshimi i orës do të bëhet në orën 2:00 të mëngjesit, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndërprisni gjumin. Orët e dorës klasike dhe të gjitha orët analoge në përgjithësi mund të rregullohen të shtunën në mbrëmje, para se të shkoni në shtrat, në mënyrë që të vendosni paraprakisht ritmin tuaj në orën e ditës. Alternativa është ta shtyni çështjet e takimet për të nesërmen në mëngjes, pasi të zgjoheni, sepse në të kundërt rrezikoni vonesa.

Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri në fundjavën e fundit të tetorit: ndërmjet të shtunës 29 dhe të dielës 30 tetor 2022, ku akrepat do të ndryshojnë 60 minuta, duke shënuar kështu rivendosjen e orës diellore.

Pak kohë më parë Parlamenti Europian votoi për t’i dhënë fund ndërrimit të orës në pranverë dhe në vjeshtë që aplikojnë prej dekadash. Veç shteteve që kanë përkrahur nismën për kursimin e energjisë ka vende si Turqia dhe Rusia që aplikojnë një orë vjetore.

Ndryshimi i orës të dielën e fundit të muajit tetor dhe mars është një ritual i përvitshëm për Europën dhe disa vende të tjera, që prej vitit 1981. Qëllimi kryesor i ndryshimit të orës është sigurimi i orëve shtesë me dritë për mbrëmjet e verës dhe mëngjeset e dimrit.

Rreth 70 vende në mbarë botën praktikojnë ritualin e ndryshimit të orës, ndërkohë që vende të tjera afër ekuatorit nuk veprojnë njësoj.

Viteve të fundit, opinioni publik ka patur zëra kundër lëvizjes së akrepa të orës, aq sa në vitin 2018, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se shumica e qytetarëvë dëshirojnë t’i japin fund ndryshimit të orës dy herë në vit.

Asokohe, Finlanda siguroi 70,000 firma nga qytetarët që kërkonin heqjen e kësaj praktike. Kritikët thonë se ndryshimi i orës sjell rritje të numrit të aksidenteve rrugore dhe probleme me gjumit, të cilat duhen marrë në konsideratë.

“Lëvizja e akrepave 60 minuta përpara i bën njerëzit më të lodhur dhe si rrjedhojë rritet rreziku nga aksidentet”, argumentoi dy vite më parë europarlamentarja franceze, Karima Delli.

Ndërkohë që nga ana tjetër, disa janë të mendimit se shtimi i orëve shtesë me dritë për mbrëmjet e verës dhe mëngjeset e dimrit janë mundësi e mirë për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Që vendimi për të mos ndryshuar më orën të hyjë në fuqi, duhet që legjislacioni të hartohet dhe miratohet nga vendet anëtare në Parlamentin Europian, që deri tani nuk i kanë dhënë përparësi.

Loading...