Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zbuluar fakte të tjera akuzuese mbi inceneratorët. Sigurisht, duke qenë ndër të parët që ka denoncuar aferën e madh korruptive, Kryemadhi deshi të merrte edhe meritat për arrestimet e SPAK-ut, të ndërmarra ditën e sotme:
“Kjo që po ndodh sot me hetimet e incenernatorëve është meritë e LSI në lidhje me dosjet që ka dorëzuar në SPAK. U tentua me komisionin të varroseshin të vërtetat e kësaj afere, por garantoj që kjo aferë nuk do të shuhet, do ta çojmë deri në fund.
Ky është grup i strukturuar kriminal, sepse nëpërmjet parave janë kapur elementët më të rëndësishëm të jetës politike shqiptare. Në fakt, tani dosja është në SPAK dhe çdo ecuri e kësaj çështjeje do të ndiqet.
Kujtoj që para 1 viti kam denoncuar se do të vinin nga Malta para për t’u përdorur në zgjedhjet e 25 prillit. Shumë shpejt do të njiheni edhe me të vërtetat e këtij fakti. Në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë specialistët dhe ekspertët, të cilët bënë të mundur përpilimin e të gjithë dosjes dhe hartimin e të gjithë padisë.
Nëse investigohet dhe zbërthet e gjitha kjo aferë, e kam thënë dhe përsëri vazhdoj ta them se sa herë preket me dorë nxjerr një korrupsion të tmerrshëm e të frikshëm të qeverisë së zotit Rama. Jo vetëm komisioni hetimor, por edhe SPAK-u, përveç evazionit fiskal të Klodian Zotos do të shikojnë se çështja e grupit të strukturuar kriminal, njëra nga këmbët e Meduzës, është inceneratori; por ka dhe disa këmbë të tjera, të cilat do t’i bëjmë sot publike.
Në 27 prill të 2020, Klodian Zoto ITS ka marrë 9 milionë e 800 mijë euro për landfillin e Vlorës, për të cilin deri më sot ne nuk kemi dëgjuar absolutisht asnjë gjë. Ka qenë e fshehur, e padeklaruar dhe e paprezantuar jo vetëm publikisht, por edhe në aspektet e dokumentacionit.
Vazhdojmë me listën e kontratave të kompanive të Klodian Zoto-s. Pra, Klodian Zoto nuk është i specializuar vetëm për inceneratorët, por është i specializuar dhe për shumë vepra të tjera. Në vitin 2016 ka marrë 1 milion dollarë nga Ministria e Mjedisit për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së Lumit Shkumbin, rikualifikimin e vijës bregdetare në Vilë Bashtovë, Rrogozhinë.
Ka marrë po ashtu 320 milionë lekë nga Bashkia Rrogozhinë, ka marrë po ashtu 650 milionë lekë nga Bashkia Rrogozhinë përsëri. Ka marrë përsëri nga Ministria e Mjedisit 2 milionë dollarë. Më e bukura, ka marrë 6.7 milionë dollarë nga OSHEE për vendosjen e matësave.
Më pas, përsëri në 2017 ka marrë nga Ministria e Mjedisit rreth 900 mijë dollarë, ka marrë përsëri nga Bashkia Rrogozhinë 1.5 milionë dollarë, ka marrë përsëri nga OSHEE, drejtoria rajonale e Tiranës, ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës 20KW, 2 milionë dollarë.
Ka marrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë 1 milion dollarë për ndërtimin e bazës prodhuese të shkollës ‘Karl Gega’. Dhë përsëri ka marrë 255 mijë dollarë nga Ministria e Mirëqenies Sociale”.