Nga shkëndija e parë e deri te gjetja e trupit, çfarë ndodhi në parkingun-magazinë ku humbi jetën ‘Dëshmori i Atdheut’, rrëfimi i rrallë i vëllait

NIKOLETA KOVAÇI/ “Është shumë e vështirë të jetohet pa Arjanin! E kam pranuar që Zoti e deshi për vete. Mbase ngaqë nuk di çfarë emri tjetër t’i vë gjithë asaj që na ndodhi, po shumë të vështirë e kam, e kemi! Ne ishim vetëm dy fëmijë, dy vëllezër, shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Si të thuash, s’bënim asgjë pa qenë në dijeni. Tani jam vetëm dhe i vetëm…”!

Kështu e nis rrëfimin e tij Edmondi, në përpjekje për të shpjeguar se si ka kaluar një vit pa vëllanë-hero dhe heroin-dëshmor! Ngre sytë lart për të shmangur ndonjë “tradhti” sysh, krejt i ligjshëm, ndërsa mundohet të fsheh aq sa mundet dhimbjen e thellë dhe përjetësisht të pashmangshme! Arjani i tij iu dorëzua zjarrit të përbindshëm që gllabëroi një parking të kthyer në magazinë, si të ishte mallkimi i madh i ruajtur vetëm për të dhe jetën e tij.

Edmondi është ende aty, në ato ditë-net ferri dhe tmerri. E ka të pamundur ta harrojë e njëherësh ta shpjegojë. Ndaj duke mos besuar se si vëllai i tij “kampion” mbeti në atë terr, ai kthehet kah qielli sikur e beson dhe e pret riardhjen, ashtu siç kanë mësuar djalin e Arjanit se “Babi ka shkuar te qielli, është bërë engjëll, është bërë yll”, edhe vetë i jepen kësaj ndjesie si ngushëllimi i vetëm për të mbajtur nën kontroll dëshpërimin pa cak!

NJË VIT MË PARË

Është e pashmangshme të mos shkosh sërish aty, në atë ngrehinë që iu mori Arjanin. Edmondi kujton me përpikëri gjithçka, irritohet, zemërohet e prapë ndalon: Zoti e deshi për vete! Që nga momenti i marrjes së sinjalit nga shokët e tij kolegë dhe deri në momentin e gjetjes së tij të pajetë, për Edmondin, familjen dhe të afërmit janë orët më të tmerrshme që askush nuk mundet t’i shpjegojë me fjalë. Ai ndalet tek episode konkrete ku ka parë jo vetëm gjendjen e mjerueshme të institucioneve përgjegjëse, por edhe dashamirësinë, ndihmën dhe kurajën që i ka ardhur nga çdo shqiptar në çdo cep të globit.

Ai tregon se dy ditët e para i ka mbajtur gjallë shpresa, se Arjani do të mund ta mundte fatin e vet, duke pasur besim në aftësitë e tij, më pas shpresa ia ka lënë vendin dorëzimit.

“U ndërhy shumë vonë. Zjarrfikësit thuajse nuk kishin asgjë. Shefi i zjarrfikëseve shkoi dhe i bleu vetë bombolat e oksigjenit në autostradë. Ata u përpoqën në momentin kur gjendja jashtë u acarua. Por, ne e dimë se me çfarë mjetesh punojnë. Është si të thuash e kotë t’i fajësosh, po kur më kujtohet se ata vetëm sa bënin një hap para, nga hyrja pasme dhe bënin mbrapsht, atëherë mendoja se në ç’gjendje ishte situata brenda.

Por, prapë se besonim se ai vend nuk kishte thuajse asnjë mekanizëm shpëtues, as derë, as dritare, as ujë, as bombola. Ishte i gjithi një izolim i betontë, i ndërtuar fillimisht për parking dhe më pas i kthyer në magazinë, ambiente krejtësisht jashtë funksioni për të punuar njerëz e aq më pak të shpëtonin njerëz”.

NDËRHYRJA FATALE E ARJANIT

Edmondi, duke qenë njohës i mirë i sistemeve të sigurisë, e shpjegon shumë qartë atë moment fatkeq për vëllanë e vet.

“Çdo kompani sigurie ka një sallë operative, ashtu siç edhe çdo qendër tregtare. Im vëlla ka qenë bashkë me kolegun e tij jashtë kur janë sinjalizuar në radio se në magazinat e nëndheshme ka rënë zjarr.

Arjanin e ka kapur edhe kamera e jashtme, (pamja e fundit e tij i gjallë) kur hedh cigaren dhe ikën me vrap për në brendësi të magazinës. Nxjerr përjashta disa persona, deri te hyrja dhe kthehet mbrapsht. Në magazinë ishte një punonjëse, vajzë, diku te 18 vjeç. E nxjerr edhe atë thuajse të asfiksuar. Ajo u nis për në spital e Arjani kthehet sërish brenda. Nga sa na është thënë, besojmë se e ka ditur se nuk ka njeri tjetër brenda, por ka besuar se mund të izolojë vatrat e zjarrit, ndonëse mbase nuk e ka ditur se ç’materiale të rrezikshme gjendeshin në atë bunker vrasës. “Ai ka luftuar, s’e ke idenë sa…”.

Pastaj është bllokuar dalja. Ekspertët zjarrfikës iu kanë shpjeguar më vonë se çfarë mund të ketë ndodhur. Arjani ka marrë të pesta bombolat që kanë qenë brenda. I ka përdorë të pestat, por s’ia ka dalë të çlirojë daljen.

Është kujtuar se diku ka vetëm një dalje emergjente, e cila ka qenë e bllokuar. Zjarrfikësit me ndihmën e familjarëve dhe shokëve janë përpjekur të fusin ujë brenda po nuk kanë pasur asnjë mundësi. Kanë çarë murin rrethues. Nga ajo të paktën ka shpëtuar trupi, një ngushëllim i pamjaftueshëm, por të paktën kanë një varr ku ta qajnë! Sasia e ujit që është hedhur nga sipër ka lagur një deng të madh rrobash që kanë qenë afër tij. Rrobat e lagura i kanë rënë sipër, duke e mbuluar dhe duke ia shpëtuar trupin nga flakët.

MAGAZINA QË VRAU

Një kamion me këpucë, i një dyqani të njohur të një qendre tjetër tregtare ka hyrë në magazinë. Mjeti ka hasur neonin e sipërm. Ose të paktën kështu është menduar duke provokuar vatrën e parë të zjarrit. Por, shoferi i mjetit sapo ka vënë re flakët e ka tërhequr kamioni jashtë, po ndërkohë flakët janë shpërndarë ndërsa punonjësit po lëviznin mallin me baleta.

Arjani teksa ka parë zjarrin, para se sa të hynte të nxirrte punonjësit e sistemimit jashtë, ka marrë një tub të madh me idenë që të fuste ujë brenda. Por, depozitat kanë qenë bosh. Gjithë pjesa e poshtme e magazinë ka qenë pa asnjë pikë ujë. Ndaj Arjani ka hyrë vetë duke tentuar t’i shpëtojë njerëzit fizikisht.

Pjesa e nëndheshme e qendrës tregtare ku iu mor jeta Arjan Salës ka qenë e planifikuar për parking. Por më pas ajo është dhënë me qira për dy persona. Pjesa e nëndheshme mësohet se është shfrytëzuar nga tri biznese për magazinim, fakt nga i cili u nisën edhe hetimet për ngjarjen e rëndë që i mori jetën 33-vjeçarit, babait të një djali. Ndonëse fillimisht u tentua të spostohej vëmendja te mosmarrja e masave nga ana e djalit të sigurisë për të hyrë brenda, por në fakt ai ambient nuk plotësonte asnjë kusht jo vetëm për të punuar njerëzit, por as për të shpëtuar në një moment fatal, si ai i Ajran Salës.

HETIMET

Është folur pak ose aspak për hetimet për shkaqet që sollën zjarrin në magazinënparking të qendrës tregtare ku humbi jetën 33-vjeçari Arjan Sala një vit më parë.

Fillimisht, Prokuroria fshihej pas mungesës së ekspertizës, por më vonë hetimet disa herë kanë tentuar të pushohen për atë çështje. Dosja sërish gjendet në duart e prokurorit dhe Edmondi thekson:

“Sigurisht, që betejën për tim vëlla do ta bëj deri në frymën e fundit. Edhe nëse nuk ia arrij unë, do e lë amanet që ta vazhdojnë të tjerët. Unë e di që nuk ma kthen askush e asgjë, por duhet hetuar çështja me të gjithë komponentët.

Ne, halli dhe dhimbja na kanë gjunjëzuar, por jo se mund të abuzojë institucioni që duhet të më mbrojë në këtë çështje! Prokuroria është pala që e mbron viktimën dhe jo që tenton ta mbyll çështjen. Prokuroria e çoi në Gjykatë për të pushuar hetimin, pa pyetur fare asnjë person të familjes tonë. Pas 8 muajve u kujtua dhe më thirri mua.

Ne nuk kërkojmë asgjë, por duam të vërtetën e asaj çfarë ka ndodhur dhe përse ka ndodhur. Kjo është e mundur. Sido që të jetë. Ne kemi pranuar ikjen e Arjanit, pranojmë edhe çfarë do lloj fakti që del nga hetimi. Asnjëra nga gjykatat nuk ka pranuar pushim hetimesh.

Ato vazhdojnë dhe duhet të vazhdojnë për të qartësuar këdo që ka përgjegjësi në atë histori që e rrënoi familjen tonë. Kur tentohet të abuzohet me një ‘Dëshmor Atdheu’ që ka dhënë jetën 33 vjeç, imagjino se çfarë mund të ndodh me raste të tjera”.

NË VEND TË FALËNDERIMIT

Edmond Sala i është mirënjohës çdo shqiptari të njohur dhe të panjohur që iu bashkuan dhimbjes së tij dhe të familjes së tij.

“U jam shumë borxhli, sidomos të panjohurve. Unë e di se ngjarja e Arjanit ka sensibilizuar të gjithë njerëzit, ndoshta nga akti i tij, ndoshta nga fati i tij, por angazhimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne nuk ia arritëm ta nxirrnim gjallë Arjanin e këtu duket se shkëputet edhe filli i gjithçkasë sonë, por kam ndjerë afër dorën e kujtdo që më ka prekur në sup edhe pa më prekur!”.

Loading...