Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka habitur të gjithë mbrëmjen e kaluar kur gjatë një emisioni televiziv ka dalë nga një frigorifer duke mbajtur një kavanoz me turshi në duar. Ideja për të bërë një paraqitje të tillë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit e kishte origjinën te njerëzit kur thonë për dikë që është kudo, aq sa del edhe nga nga frigoriferi.
Vuçiç do përballet të dielën me shtatë kandidatë të tjerë, me gjeneralin në pension Zdravko Ponos, për koalicionin ‘Të Bashkuar për Fitoren e Serbisë’ si sfiduesin më serioz. Në fjalimin e tij të fundit drejtuar votuesve të mundshëm, disa orë para se të fillonte heshtja zgjedhore në mesnatë, Vuçiç u shoqërua nga njerëzit më të shquar nga lista zgjedhore e Partisë së tij Progresive Serbe (SNS) për zgjedhjet e përgjithshme, gjithashtu të planifikuara të dielën.
Në publik ishin yje të muzikës popullore dhe personazhe të tjerë të njohur publik. Vuçiç më së shumti përsëriti atë që tha gjatë fushatës dhe shtoi se shumë ministra i thanë atij se shënuan rezultatet më të mira në mandatin e tyre të dytë. Ai tha se Serbia ishte një vend i sigurt dhe se nuk kishte frikë nga luftërat dhe krizat.