Prej vitesh Shegushen e mundon brenga se nuk i përket familjes ku ajo është rritur, mendon se nuk është vajza e Xhemiles dhe Vathit. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E diela shqiptare” në Tv Klan ajo tregon se në Peqin, në të njëjtën ditë me të ka lindur edhe një vajzë tjetër, nëna e së cilës quhej Naile.
Në moshën 10-vjeçare, Shegushja nisi të dëgjonte prej njerëzve opinionin se ajo nuk ngjante me familjarët e saj, jo vetëm nga tiparet, por edhe nga ngjyra e lëkurës pasi këta të fundit ishin me ngjyrë. Dyshimet rriteshin së bashku me moshën, derisa një ditë, ajo mori guximin të ndalonte Nailen në rrugë për ta pyetur, edhe pse nuk kishin asnjë kontakt të mëparshëm.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë si je rritur, si ndiheshe në këtë familje, a ishe vajza e shtëpisë?
Shegushe: Isha, por nuk e ndieja shumë dashurinë. As unë nuk ndieja shumë për ta.
Ardit Gjebrea: Po pse, edhe nga fjalët e njerëzve apo çfarë?
Shegushe: Edhe nga fjalët e njerëzve dhe ishte kjo mungesa.
Ardit Gjebrea: Po zonjën Naile si fillove ta shihje?
Shegushe: Ishim në një qytet dhe e shihja shpesh.
Ardit Gjebrea: Në cilin moment të moshës tënde, për herë të parë ti e ke ndaluar zonjën Naile dhe i ke thënë që jam vajza jote?
Shegushe: 18-19, brenda moshës 20 vjeç.
Ardit Gjebrea: Si e more guximin?
Shegushe: Më shtynin shoqet e punës që “ik ndaloje thuaji kështu” dhe unë e provova një herë, dy.
Ardit Gjebrea: Dhe e takove. Ku, në ç’vend?
Shegushe: Në rrugë. E ndalova dhe i thashë që shoqet e punës më thonë që jam vajza jote. Ajo tha “jo, pse duhet të thonë kështu”, me një fjalë nuk e pranoi.
Ardit Gjebrea: Po vajza e Nailes që ka lindur në të njëjtën ditë me ty, ke lidhje?
Shegushe: Jo, lidhje nuk kam por e njoh si njeri.
Ardit Gjebrea: Ajo ngjan me Nailen apo ngjan me Xhemilen?
Shegushe: Jo, ngjan me Xhemilen.
Ardit Gjebrea: Pra ti mendon se është vajza e… Shiko ne do bëjmë marrëveshjen e fjalës, unë Xhemile do quaj atë që deri tani zyrtarisht dihet që është nëna jote. Pra, vajza e Nailes ngjante me mamin tënd?
Shegushe: Po.
Ardit Gjebrea: Po ti ngjaje me Nailen?
Shegushe: Po.
Ardit Gjebrea: E sigurt?
Shegushe: Po, edhe me vëllezërit e motrën./tvklan.al