E trishtë/ Ndahet nga jeta figura e njohur shqiptare

Shuhet në moshën 90 vjeçare, historiani dhe studiuesi i njohur, Sherif Delvina, “Mësues i popullit”.
Historiani Delvina i persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte autor i shumë librave studimor.

Historiani Sherif Delvina, Epiri shenohej Shqiperi ose Shqiperi e Poshtme:
Disponoj hartat e Epirit, që i paraqisnin këto treva që nga shekulli i XV-të

Herodoti, babai i historisë, në veprën “Historia”, libri i shtatë, paragrafi II, thotë: “Grekët vunë mbretin Leonidha me 300 spartanë të mbrojnë grykat e Termopileve, me qëllim që barbarëve t’u ndalohej hyrja për në Greqi”.
Në paragrafin 146, të këtij libri, na bëhet e ditur se në lindje të Termopileve, gjendej një mal i pakalueshëm, që shtrihej deri në malin Aeta. Ana e rrugës për në lindje është e kufizuar nga deti dhe nga disa lugina e përrenj.

Në këtë rrugë gjendet vetëm një kalim, që shkon për në Fokidë. Ky shteg, pohon Herodoti, është i mbrojtur prej një muri të ndërtuar nga banorët e Fokidës. Atë mur fokidasit e kishin ndërtuar, pse kishin frikë nga thesalët, që kishin ardhur nga Thesprotia dhe ishin vendosur në Eolidë (Thesali).

Fokidasit i kishin marrë këto masa që të mbroheshin nga thesalët, që donin t’i nënshtroheshin e t’i mbanin nën zgjedhë. Çamët në lashtësi ishin kufitarë me fokidasit dhe Thesalia ishte tokë thesprote, pra çame.
Epiri nuk mori pjesë në luftën e Peloponezit, që pati një karakter vetëm grek, sepse Epiri nuk përfshihej në bashkësinë helene. Në konferencën panhelenike të organizuar nga Perikliu nuk mori pjesë asnjë qytet epirot, me përjashtim të Ambrakisë, e cila, siç dihet, ishte koloni greke (Plutarku, Periklium XVII). Për Eforin e Kumës, Greqia fillon në Akarnani, po kështu edhe për Strabonin (VIII, 333). Kurse në mesjetë, kryekomandanti i ushtrisë bizantine, Gjergj Akropoliti (1217-1282), në librin e tij,

“Vepër Kronikale” vë në dukje se toka greke, gjendej përtej maleve të Pindit, pra, Epiri nuk është tokë greke. Vlen të përmendet historiani nobelist Teodor Momsen, i cili në historinë e Romës së lashtë, vëllimi i parë, Roma 1903 shkruan: “Mbreti Pirro, me t’u vënë në krye të mbretërisë të gjithë u bashkuan rreth tij, trimat epiriotë, shqiptarët e lashtësisë”.
Në regjistrin kadastror të viteve 1582-1583 të kazasë së Delvinës të sanxhakut të Delvinës, të ruajtura në Arkivin e Sulltanit në Stamboll, që sot quhet Arkivi i Kryeministrisë, shihet qartë se popullsia e regjistruar ishte tërësisht shqiptare. Ndërsa në regjistrin kadastror të Himarës 1520-1536 si edhe regjistrat kadastrorë të rretheve Delvinë, Sarandë e Gjirokastër dhe të një pjese të Çamërisë të viteve 1690, del hapur se deri në vitin 1690, minoritarë grekë në Shqipëri nuk ekzistonin.

Në të gjitha këto zona, emrat e të gjithë banorëve ishin shqiptarë. Po ashtu, në regjistrimet e popullsisë së Himarës në fillim të shekullit të XVI, të bën përshtypje se në të gjithë atë zonë sundonin emrat Llesh, Gjon, Gjin, Nue.
Në këto regjistra të Livas së Vlorës janë të shënuar emrat dhe mbiemrat e familjeve të Palasës, Dhërmiut, Himarës, Pilurit etj. Të vjen keq që disa studiues bazohen në thëniet gjoja se disa familje ishin vendosur atje në vitin 1475, të ardhur nga veriu i Shqipërisë. Ne e dimë se në regjistrimin e vitit 1431, Kruja kishte 140 shtëpi.

Po ashtu, fshatrat e Krujës ne i kemi të regjistruara. Disa studiues thonë se suljotët kanë ardhur nga Kruja, e cila, sipas tyre, na del të ketë pasur mijëra banorë. Historia e ka të vulosur faktin se suljotët, ashtu si edhe himariotët janë banorë autoktonë. Duhet vënë në dukje se shumica dërmuese e himariotëve janë kurveleshas. Dokumentet veneciane e tregojnë qartë shqiptarinë e Himarës. Vlen të përmendet këtu edhe një letër, që banorët e kësaj krahine i shkruajnë Papës, në vitin 1577, ata nënshkruajnë nga Himara, dmth., nga Epiri i shqiptarëve, të pjesës së Epirit”. Edhe Martin Liku, në librin e tij “Udhëtime në Greqinë e Veriut”, shkruan se “gratë e Himarës flasin shqip. Burrat dinë shqip, greqisht dhe italisht”.

Të gjithë hartografët më të mëdhenj botërorë, holandezë, gjermanë, francezë, kanë quajtur trevat e Epirit shqiptare. Ata janë shprehur madje: “Epiri quhej Shqipëri”. Unë disponoj hartat e Epirit, që i paraqisnin këto treva që nga shekulli i XV-të. Hartografët e këtyre hartave janë të ndryshëm, nga të katër anët e Botës, ku nuk mungojnë hartografët e Luigjit të XIV, të Perandorit Napoleon etj.

Në të gjitha hartat, Epiri shënohet Shqipëri e Poshtme. Si psh.harta e botës së Fra Mauros 1459; Battista Agnesi “Mesdheu Lindor”, Venedik, 1553; Johannes Lauzemberg, Epiri që sot quhet Shqipëri, (1656); harta me të njëjtin titull e P.Mortier, Amsterdam; Abé Baudrand (1633-1700), gjeograf i mbretit të Francës Luigj i XIV; hartat e Georgis Sideris ose Kalapodhas, harta e Mesdheut 1561 dhe ajo e brigjeve të Shqipërisë; C.Price, I.Maxvelle, I.Senex, Turqia e Evropës 1712; e S.L.de la Bochette dhe Grasset Sain Sauveur, harta e shtatë ishujve, Paris 1821; harta e Turqisë evropiane, Strasburg 1828.

Harta e detit dhe e Jonit, G.Marieni 1845, e Franz von Veis, Turqia evropiane, Meyland 1829; harta e Shqipërisë e Halon, nxjerrë nga Studime shqiptare; harta e Greqisë e L.Sagansan gjeograf i perandorit Napoleon, harta e H.K.John Stonpit, vendi i luftës në Principatat danubiane 1854. Në të tëra këto harta, Epiri shënohej Shqipëri ose Shqipëri e Poshtme.
Dokumente për arvanitasit në Greqi
Kërkimtari i dokumenteve mesjetare, K.Sathas pohon se arbërorët kanë zbritur në shek.VII. P.Furiqis gjen mjaft toponime shqiptare në More qysh në shek.VIII si Shkurta, Kundura, Lopësi. Në atë kohë një pjesë e gadishullit quhej Mani. Emri More është përkthimi i fjalës shqipe man.

Një regjistër i shek.XV u referohet disa krahinave të pjesës veriore të Moresë. Regjistri 1/14662 i sektorit oriental të Bibliotekës Kombëtare “Kirilie Metodi”, Sofje, ka të regjistruara 198 fshatra, ku 155 fshatra prej tyre janë shqiptare, të shprehura shprehimisht për secilin fshat, nga bashkësia e arnautëve. Për çdo katund janë shënuar emrat dhe mbiemrat e kryetarëve të familjeve e të të vejave.

Në shek.XV vetëm në More numëroheshin 290.000 arbënorë (arvanitas), sipas kronistit bizantin Gjergj Franxes. Në Atikë, pa marrë parasysh ata që jetojnë në qytete deri në 1961, popullsia arvanite arriti 150.000 banorë me rreth 100 fshatra. Sipas atlasit De Agostini, Novara, 1991, te zëri “Greqia”, Beotia ka një sipërfaqe prej 2952 km2, me një popullsi prej 117.125 banorë. Kurse popullsia shqiptare në Beoti i kalon të 100.000 vetat, megjithatë Greqia mohon ekzistencën e mëse 2 milionë shqiptarëve në Greqi. Arbërorët në Greqi nuk kanë të drejtë të përdorin alfabetin tonë (latin), nuk kanë libra e shkolla shqipe. “Contact Bulletin” i Komisionit të Komunitetit Evropian, nr.3, 1991, në faqen 13 shkruan për arbërorët. Numri i tyre shkon deri në 400 mijë.

Në korrik 1987, Kontakt Buletini i Komisionit të Komunitetit Evropian nr.2 botoi një raport prej 2 faqesh për kërkimet e kryera nga ky komision në Greqi, në 300 fshatra shqiptare të Greqisë. Komisioni përbëhej nga Anton Belushi, Itali; Rikardo Alvares,Spanjë; E.Angel, Francë; Kolon Anget, Spanjë; Javier Boshi, Spanjë; Onom Falkona, Holandë; Volfgang Jeniges, Belgjikë; Robort Marte, Francë; Stefan Moal, Francë; Kel O’Anseala, Irlandë; Josef San Sokasae, Spanjë. Qëllimi i këtyre përfaqësuesve të Evropës ishte të vizitonte vendet ku flitej shqip, si dhe të shihte reaksionin e partive të ndryshme greke, po ashtu dhe të institucioneve greke për çështjen e mbrojtjes së minoriteteve linguistike që ekzistonin në Greqi.
Kur u pyetën se ç’kanë bërë për të mësuar gjuhën shqipe arvanitasit, përfaqësuesit e Partisë Neo Demokracia midis të tjerash thanë se në Greqi nuk ka probleme të gjuhës shqipe. Nëse ju do të shtroni problemin linguistik, ju do t’i krijoni një problem të madh shtetit grek.

Nëse gjuha shqipe flitet ajo flitet vetëm në familje. Misioni juaj është delikat, mos i komplikoni gjërat. Ky problem për ne nuk ekziston. Kurse ata të Partisë së PASOK-ut pohuan, midis të tjerash, se nuk e gjykojmë të nevojshme që shqiptarët si edhe minoritetet e tjera të mësojnë gjuhët e tyre, sepse gjuhët që flasin nuk janë gjuhë. Nuk ka territore shqiptare në Greqi. Ai që nuk flet gjuhën tonë, nuk i përket racës dhe vendit tonë.

Loading...