Policia e Tropojës ka arrestuar një 51-vjeçar si edhe ka shpallur në kërkim një të ri, vetëm 21 vjeç, pasi dyshohet se kanë kultivuar lëndë narkotike në zonën e Bajram Currit duke vënë në parcelat me drogë edhe kamera si edhe granata kurth ndaj “infiltruesve” të mundshëm.
Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar rezulton se të dy ata kanë hapur një parcelë kanabisi në fshatin Kovaç dhe për ta vëzhguar dhe mbrojtur drogën vendosën kamera sigurie si edhe granata kurth ndaj çdokujt që mund të futej aty pa leje.
Të njëjtën gjë ata kanë bërë edhe gjatë verës së vitit 2020 sipas policisë.
“Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën. Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori”, njofton policia.
Tropojë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.
Kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike, kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim autori tjetër.
Këta shtetas janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020.
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, organizuan punën për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç.
Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve. Bazuar në provat e siguruara, më datë 10.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të kryera në bashkëpunim.
Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç.
Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën.
Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori.
Vijon puna për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al