Mesazhi i Deromemaj: Të Bashkuar jemi më të fortët! Urime për kryetarin e ri Atirdin!

Reagon ish kryetari i partisë demokratike dega Vlorë Genc Deromemaj në faqen e tij FB, ja cfarë shkruan për zgjedhjet e sotme dhe kryetarin e ri të sapozgjedhur Atird Hoxha

Sot, pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD Vlorë, dua t’ju falënderoj dyfish.

T’ju falënderoj dhe t’ju jem mirënjohës për faktin se anëtarësia demokrate e Vlorës dha edhe njëherë tjetër shembullin e një anëtarësie me vlera demokratike dhe e përgjegjshme për votën, garën dhe sfidat që po kalon dhe duhet t’i kalojë me dinjitet.

Personalisht, unë u zgjodha kryetar në një garë të vërtet dhe misioni im ishte që edhe kryetari i radhës të zgjidhej në një garë të vërtet, në një proces transparent, duke krijuar të gjitha kushtet.

Kjo u realizua dhe ndihem mirë për këtë.

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, dua t’ju falënderoj e t’ju jem mirënjohës të gjithëve ju, për mbështetjen që më keni dhënë në kryerjen e detyrës sime, në drejtimin e PD Vlorë.

Së bashku, kaluam dhe përballuam sfida të mëdha, duke treguar qetësi, maturi e integritet bindjesh e qëndrimesh.

Përvojën e fituar do ta vendos në shërbim të PD sa herë të më kërkohet dhe të jetë nevoja!

Sot, një kryetar ikën dhe një tjetër kryetar vjen.

Por, Partia Demokratike mbetet aty, si një shtëpi e madhe për të gjithë demokratët, si një vlerë dhe aset për demokracinë, historinë e qytetin.

Mesazhi im është: Të Bashkuar jemi më të FORTËT! Urime edhe për kryetarin e ri Atirdin, tek i cili anëtarësia dha besimin për t’i drejtuar, duke shprehur besimin se Atirdi është njeriu dhe pastaj kryetari, i denjë për të drejtuar PD Vlorë.

Loading...