Sot në Bruksel takimi i ri për targat
Grupet Punuese të Kosovës e Serbisë do të takohen për çështjen e targave në Bruksel sot, më 20 prill dhe nesër, më 21.
Një gjë e tillë është konfirmuar për RTK-në nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano.
Ai tha se BE-ja ka ndihmuar të dy delegacionet në identifikimin e zgjidhjeve, por është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje.
“Ne presim që ata të bëjnë përparim deri më 21 prill”, tha ai duke shtuar se BE-ja dëshiron t’u kujtojë të dyja palëve edhe një herë se tani është urgjente për të gjetur gjuhën e përbashkët.
“Çdo marrëveshje për targat do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis”, tha Stano.
Ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritur marrëveshjen përfundimtare për targat vetëm me parimin e reciprocitetit.
“Më datë 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat, parimi i reciprocitetit do të jetë aty si thelb i çfarëdo zgjidhjeje”, ka thënë Kurti.
Më 21 prill skadon afati i Marrëveshjes së përkohshme për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas marrëveshjes që afat ka 6 muaj, veturat në kufi duhet të mbulojnë simbolet shtetërore me letër ngjitëse, si kur futen në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Kjo marrëveshje i pati dhënë fund bllokadës 12 ditore që serbët kishin bërë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të pakënaqur me reciprocitetin e vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Reciprocitetit Kurti tha se do t’i përmbahen edhe në takimin në Bruksel.