Shtatori i vitit të kaluar, është koha kur Alteo 6 vjeç dhe Marigleni 12 vjeçar, do ta kujtojnë deri sa të jenë gjallë në këtë botë. Shtatori i vitit të kaluar ishte koha kur i vëllai, Sheidi, nisi t’i shoqërojë drejt shkollës. Kjo sepse Valbona, nëna e tyre, u aksidentua… që prej asaj kohe Valbona qëndron në koma, ndërsa për këta dy vogëlushë, jeta ndryshoi rrënjësisht.
“Shqiptarët për Shqiptarët” shkuan në shkollën ku mësojnë Alteo (cikli parashkollor) e Marigleni (fillore, klasa e katërt), për të takuar mësueset e tyre respektive. Ishte një sms e tyre e cila na mundësoi që të zbulonim dramën e madhe që kishte e vijon të përjetojë familja me 4 fëmijë, një baba invalid e një nënë prej afro 7 muajsh në koma.
Sara, mësuesja e Alteos së vogël, na tregoi se lajmin për aksidentin e Valbonës e mësoi nga Xheviti, babai i Alteos. Ai kishte ardhur në shkollë dhe i qe lutur mësueses që të kujdesej për 6 vjeçarin, derisa të vinte ta merrte i vëllai. Që nga ajo ditë, nuk gjen buzëqeshje e gëzim në sytë e Alteos.
“Jam mësuesja e Teos. Vjet ai ishte fëmijë më i lumtur, më i qeshur. E sillte e ëma në shkollë, vinte ajo e merrte. Këtë shtator, më kujtohet dita e parë. Takova të atin e Teos. Më tha, Sara të lutem, po ta kërkoj të lutem, do të kujdesesh për Teon derisa të vijë ta marrë i vëllai. Po patjetër i thashë, por çfarë ka ndodhur… më tregoi, ka bërë aksident ime shoqe. Aty të them të drejtën u shokova…
Teo ka qenë përherë fëmijë i dashur, i qeshur. Tani ka plot ditë kur ai është i strukur, sidomos kur bëjmë aktivitete që ftojmë prindërit apo nënat e fëmijëve. Ai ndihet shumë keq. Për 8 marsin sidomos. Fëmijët shprehën dëshirën që të bëjnë kartolina për nënat. Ai e bëri kartolinën, por në fund më tha… po unë mësuese, ku ta lë kartolinën.”-tregoi mësuesja.
Drita është mësuesja e Mariglenit. Ajo na rrëfeu se kurrë në 20 vitet e punës së saj si mësuese, nuk ka hasur një rast të tillë kaq të dhimbshëm.
“Jam Drita Hasani, kam 20 vite mësuese në këtë shkollë… kurrë nuk kemi ndeshur një rast të tillë në shkollë. Flas për Alteon e Mariglenin. Marigleni kishte qenë një djalë aktiv, por tani ai është i heshtur, i mbyllur. Kur u interesuam më tepër, problematika në familjen e fëmijëve ishte shumë e rëndë. Vëllai i tyre i madh, që tashmë është në rolin e nënës e babait, kujdeset për ta, pasi i ati qëndron 24 orë në spital, kujdeset për të shoqen. Djali që kujdeset për vëllezërit, vijon studimet tek shkolla e hoteleri-turizmit. Ai ka qenë nxënës i shkëlqyer. Mesa e kemi ndjekur ecurinë e tij, ai ka qenë dhe senator atje, por u detyrua të qëndrojë pranë familjes e ka dhënë dorëheqjen.”-tregoi mësuesja.
Mësuesja e Alteos na rrëfeu se ajo i shkroi emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, për të kërkuar ndihmë për familje Lluka.
“Duke parë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen, mora telefonin e ju shkruajta juve. Kur mora përgjigje, realisht u gëzova jashtë mase. Mu duk sikur…nga gjithë ajo errësirë, doli një dritë. Do doja shumë që këtyre fëmijëve, pavarësisht të gjitha vuajtjeve, mjerimit që po kalojnë, të paktën t’i gëzohet sadopak zemra, të mund të kenë një grimcë lumturie në shpirt. Të kenë një shtëpi ku ata fëmijë të jetojnë të qetë e të lumtur, me babain e tyre dhe… do Zoti edhe me nënën e tyre. Shpresoj që të gjithë t’i japim pak shpresë.”-na rrëfeu mësuese Sara.
Ndërsa mësuesja e Mariglenit, shpjegon se mësuesit, por edhe familjet e nxënësve të tjerë janë mundur me çfarë të munden për ta ndihmuar familjen Lluka.
“Kuptohet që gjëja më madhore për ta është shërimi nënës, por ajo varet nga Zoti lart. Problematika kryesore është strehimi. Të kenë një shtëpi pasi jetojmë me qira dhe i zoti i shtëpisë u ka dhënë një limit kohor, pasi ajo shtëpi do të shembet, realisht ajo është e pabanueshme.
Ne si shkollë jemi angazhuar, me kontribute nga familjes e ne vetë mësuesit që t’u vijmë në ndihmë, por kuptohet që ndihma jonë është e vogël në raport me ndihmën tuaj. Shpresojmë shumë që të realizohet diçka për këtë familje, pasi janë me të vërtetë në një hall e situatë shumë të vështirë.”-tregoi mësuese Drita.