Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj”. Kjo ka qenë deklarata e sotme e ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë Teodora Genchovska para konferencës sot në Sofje ‘Forumi BE takon Ballkanin’, me pjesëmarrjen e vendeve evropiane.
Ky qëndrim i diplomates bullgare tregon se ky vend as nuk tërhiqet në veton e vendosur për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, veto e cila pengon edhe Shqipërinë. Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi, i cili ndodhet në Sofje, nga ana e tij është shprehur i zhgënjyer mbi integrimin e Shqipërisë në BE.
“Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor, kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë”, tha ai.
Kështu ka deklaruar Komisioneri pas takimit me kryediplomaten bullgare, Teodora Genchovska. Ndër të tjera, ai ka shtuar se BE-ja duhet t’i besojë më shumë vetes dhe fuqisë që ka, duke kaluar nga natyra transformuese e zgjerimit. Duke qenë se rrugëtimi i Shqipërisë drejt mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare varet edhe nga vetoja Bullgare kundrejt Shkupit, qëndrimi i Sofjes është në një lloj mënyre mohimi direkt e çeljes së negociatave.
Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi do të vizitojë Shqipërinë më 28 prill. Zyrtari i lartë evropian Varhelyi do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të kenë një konferencë për mediat. Vizita e tij vjen përpara se vendet e unionit të marrin një vendim në muajin qershor për uljen në tryezën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Qershorin e kaluar ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën dot një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i problemeve të Maqedonisë së Veriut.
Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.