NIKOLETA KOVAÇI/ I vënë nën akuzën e rëndë të vrasjes së kolonel Arben Zylyftarit, i dënuar me 25 vite burg, 17 prej të cilave të kryera, i liruar dhe më pas i riarrestuar me vendim tjetër që rrëzonte atë të lirimit të tij, dje, Genc Tafili erdhi në pranga në Rinas.
Ai u arrestua në Frankfurt, teksa po udhëtonte në drejtim të Turqisë me 4 janar të këtij viti. U mbajt aty për 4 muaj, pasi ai provoi ta evitonte ekstradimin drejt vendit tonë, për shkak të një procesi të padrejtë dhe të diktuar politikisht, pasi ai gjithnjë ka refuzuar ta pranojë akuzën e vrasjes së Zylyftarit.
Ai do të vijojë vuajtjen e mbetur të dënimit në vendin tonë dhe mësohet se Drejtoria e Burgjeve fillimisht e ka transferuar në Burgun e Fierit. Ai pritet që në ditët në vijim të depozitojë një tjetër kërkesë ku do të kërkojë lirimin me kusht, pasi ai pretendon se i përmbush kushtet.
Avokati i tij mbrojtës tha dje për “Panorama” se do të vijohet të kërkohet lirimi i tij sipas hapësirave që parashikon ligji.
OPERACIONI I PËRGJAKSHËM
Gjithçka nisi mesditën e 2 gushtit të 22 viteve më parë. Në një ditë përvëluese, Policia mësynë banesën e familjes së Bahri Tafilit. Në atë përballje të pa zbardhur sot e asaj dite, u vra Bahri Tafili, i ati i Genc Tafilit.
Në krye të atij operacioni ishin shefi i Krimeve dhe shefi i Grupeve të Gatshme, ndërkohë që në rrethana të pashpjegueshme nga Prokuroria për 22 vite me radhë, vritet Arben Zylyftari, i sapo shkuar në vendin e ngjarjes, i vendosur shumë metra larg vendit ku ishin të rrethuar babë e bir.
Bahriu me gjithë Gencin dorëzohen, ndërkohë që Bahriu vritet nga Policia. Djemtë e viktimës fajësuan aso kohe e deri sot për atë masakër Prelë Pjetrushin, një emër i njohur në Policinë e Shkodrës, aso kohe dhe më vonë.
Ndërsa Bahriu u vra, Genci u vu në pranga dhe nën akuzën e vrasjes së kolonelit.
Ai e mohoi vrasjen, vijoi ta mohonte edhe pse askush nuk ia hoqi autorësinë. Por, akuzat nga shtetërore më vonë u kthyen në personale. Kthimi në Shqipëri i Admirit, vëllait të Gencit, personit kyç të një sage të frikshme hakmarrjeje, ndryshoi rrjedhën e historisë, duke e kthyer atë ngjarje në një nga më të rëndat e ndodhura në vendin tonë në më shumë se dy dekada.
KONTESTIMI I VRASJES SË KOLONELIT
Ekzekutimi i ish-kreut të Policisë së Shkodrës ka mbetur një nga misteret më të mëdha të hetimit nga autoritetet ligjzbatuese në vend. Që nga momenti i nisjes së atij operacioni e deri më tani, edhe pas kaq vitesh, askush nuk e ka të qartë zyrtarisht se përse policia e Shkodrës e rrethoi shtëpinë e Bahri Tafilit në mesditën e 2 gushtit.
Referuar dosjes, dëshmive, fakteve dhe pak elementëve të ekspektimeve të ndryshme, u mësuan shumë paqartësi dhe pasaktësi në atë ngjarje me dy viktima, ku humbi jetën kryepolici i Shkodrës, një nga emrat me të njohur të Policisë sonë për ato vite.
Në dokumentet e dosjes që i referohet ngjarjes u mësua se dëshmitarët nga radhët e Policisë kishin dhënë versione të ndryshme për shkakun e operacionit, ndërkohë që krerët e operacionit deklaruan se kishin tentuar ta arrestonin Bahri Tafilin, pasi e kishin parë të largohej me vrap në momentin që kishte parë Policinë.
Por, në shkresa dhe në ato pak dëshmi që kanë mbijetuar nëpër dosje, bëhet me dije se Bahri Tafili dhe i biri kishin qenë në gjumin e drekës në momentin që Policia rrethoi shtëpinë.
Ata kishin dalë zbathur nga korridori në soletën e shtëpisë për t’u fshehur më pas në kasollen e kalit të fqinjit të tyre, vend nga ku u tha se shkëmbyen zjarr me Policinë dhe nga ku doli plumbi fatal që i mori jetën Zylyftarit.
Në fakt, plumbi që u nxor nga trupi i të ndjerit asnjëherë nuk iu nënshtrua ekspertimit për të mësuar se nga çfarë arme doli.
Po ashtu, familjarët e tjerë të familjes Tafili, gratë dhe fëmijët, u tha se u mbajtën të izoluar në një dhomë nga policia për orë me radhë, ndërkohë që Genci dëshmoi me dhjetëra herë se i ati ishte vrarë i dorëzuar, pasi e kishte hedhur armën.
Po ashtu më vonë, në përplasjet e mëdha të krerëve të policisë së Shkodrës u mësua se Prelë Pjetrushi dhe Admir Tafili ishin konfliktuar ashpër për zotërimin e trafiqeve në liqenin e Shkodrës, konflikt që solli hakmarrjen e pafre të Admirit!
Arratia e të dënuarit që solli ekzekutimin e dy vëllezërve
Ndërsa Genci ndodhej në qeli, djali tjetër i Bahri Tafilit, Admiri nisi të vërë në zbatim planin e vetëm për tu hakmarrë ndaj Prelë Pjetrushit, pasi e dyshonte se si autor dhe shkaktar të vrasjes së të atit.
Ish-shefit të Krimeve më pas të Malësisë së Madhe, Pjetrushit i bëhet një atentat teksa ndodhej me shërbim në komisariat dhe mbetet i plagosur rëndë.
Si autor i ngjarjes u dyshua Admir Tafili dhe disa muaj më vonë arrestohet nga policia, ndërsa oficeri i lartë i policisë Prelë Pjetrushi largohet drejt Amerikës për arsye sigurie, duke lënë pas familjen në Shkodër.
Admiri dërgohet në burgun e Shënkollit derisa në fillimin e tetorit të vitit 2010 ai kërkon leje nga burgu për të shkuar pranë familjes së tij pasi kishte nënën e sëmurë. Ose të paktën ky ishte versioni zyrtar që përcollën burgjet për atë rast. Në shtëpi për të parë nënën e sëmurë bashkë me Admirin shkoi edhe Genci.
Ky i fundit refuzoi t‘i bashkëngjitej planit të të vëllait: Nuk i pres në besë policët që po rrinë jashtë për ne-i tha atë ditë, ndërsa Admiri, doli nga dritarja e shtëpisë dhe u largua në drejtim të paditur.
Qëndroi për më shumë se 6 muaj në arrati. U tha nëpër Shkodër, madje shpesh kishte ardhur edhe në rrugicën e shtëpisë të shihte të ëmën, por gjithnjë me veshje dhe pamje të ndryshuar. Ai ishte i betuar të hakmerrej për vrasjen e të atit dhe ashtu ndodhi.
Me 18 mars 2011, ai iu zë pritë dy vëllezërve të Prelë Pjetrushit duke i ekzekutuar barbarisht. Merr një automjet tip “Fiat”, të vjetër, dhe niset nga Shkodra në drejtim të Tiranës duke u shkëmbyer përgjatë gjithë rrugës me furgonë RENEA e FNSH-je që ishin nisur në drejtim të vendit të ngjarjes për të arrestuar autorin e asaj masakre.
Tafili erdhi në Tiranë dhe u vendos në një nga lokalet e njohura në mes të dy godinave policore. Pasi konsumoi pijen që kishte porositur, ai telefonoi Policinë e Tiranës dhe e njoftoi se ishte i gatshëm për tu dorëzuar sepse ishte ai autori i vrasjes së dyfishtë në Shkodër, të Nikë e Gjovalin Pjetrushit.
Ai u arrestua, hetua dhe ridënua, kësaj here me burgim të përjetshëm, duke lënë pas rrënimin e familjes Pjetrushi.
Admiri tentoi të arratisej tre vite më vonë bashkë me një grup personash nga burgu i Drenovës, por nuk ia arriti pasi ata u kapën pa mbërritur në Elbasan, ndaj ai vijon të vuajë dënimin me burg të përjetshëm, ndërkohë që i ka kërkuar SPAK-ut të rihapë çështjen e vrasjes së të atit dhe të kolonel Zylyftarit, pasi ai nuk e pranon që drejtuesi i lartë i Policisë të jetë vrarë nga babai dhe vëllai i tij!