Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, për të mos e dëgjuar zhurmën të cilën e bënin ai dhe kolegët nga opozita ka vendosur kufjet derisa vazhdonte ta godaste me shishë tavolinën në ulësen e tij në Kuvendin e Kosovës.
Lushtaku ka dalë edhe te foltorja e Kuvendit duke goditur me shishe të ujit tavolinën teksa flisnin deputetët e VV-së dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Opozita nisi veprimet në Kuvend për t’ia bërë të vështirë pozitës që ta vazhdojë seancën e sotme të Kuvendit, pasi u refuzua që sot të trajtohet çështja e formimit të një komisioni hetimore parlamentar për rrymën.
Pushteti dhe opozita vazhdojnë të mos pajtohen në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.