Ditën e djeshme mediat italiane bënë publik një artikull që zbardhte detaje nga bashkëpunimi i italianëve dhe shqiptarëve në trafikun e drogës. Ishte pikërisht një trafikant i penduar, që vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të nxirrte zbuluar aktivitetin kriminal italo-shqiptar.
Bëhet fjalë për 53-vjeçarin Antonio Guastalegname, sipërmarrës nga Vibo Marina, i cili ka treguar emrat e bashkëpunëtorëve që kishin kontakte me shqiptarët, duke iu referuar Valerio Navarras si lidhja mes trafikantëve shqiptarë dhe mafiozëve italianë (i cilësuar nga hetuesit njeri i afërt me bosin e Ndragetas në Zungri, Antonio Giuseppe Accorinti).
Ajo që ra në sy ishte se i penduari fliste edhe për përfshirjen e një ministri shqiptar, që sipas të cilit lehtësonte trafikun e drogës.
Lidhur me ngjarjen, gazetari Thimi Samarxhiu i “Zona Zero” ka siguruar për Gazeta Shqip dosjen e Prokurorisë Italiane me dëshminë e vetë Guastalegname-s.
Ky i fundit shprehet se mbështetja e qeverisë shqiptare i ka krijuar mjaft lehtësira kalimit të sasive të mëdha të drogës.
“Në foton numër 16, shoh Valerio Navarra-n. Bëhet fjalë për personin që ju kam treguar më herët, kështu që i bashkohem deklaratave të mia të mëparshme për këtë person. Jam në dijeni të faktit se përsa i përket narkotrafikut në bashkëpunim me shqiptarë, këta të fundit kishin mbështetjen e qeverisë shqiptare, dhe nëse nuk gaboj bëhej fjalë për një të ministër të korruptuar, më duket se ai i Drejtësisë, ose i Brendshëm.
Ose një personazh me ndikim të fortë politik në Shqipëri. Nëse nuk e kam gabim, ka mundësi të ishte një i afërm i këtij me mbiemrin Taraj. Këtë e kam parë kur takohesha me Eduardin ose Robertin, po nuk ia kujtoj se si e ka emrin fiks. Se më kërkonin që për transportin Firenze-Bologna, të merresha unë direkt, pa ndërmjetës.
Donin ta çoja drogën e tyre në sheshet e Piemontes. Dhe aty e pashë se sa të lehtë e kishin të organizonin importimin e drogës, barit, duke pasur mbështetjen e qeverisë shqiptare. Falë kësaj mbështetje lëviznin sasi të madhe droge,” citohet Gustalegname në dokument.
Mediat italiane nga ana e tyre kanë publikuar listën me emrat e shqiptarëve: Eduart Tahiraj, Lavdosh Serani, Robert Lazaj, Ydaj Hoxhaj, Alfred Lucaj, Lulëzim Shkurtaj, Orkind Cobaj e Flroiand Tahiraj.
Drejtori i medias italiane, Calabria 7, Mimmo Famularo, foli në një lidhje Skype me studion e “Zona Zero” për të dhënë më shumë detaje mbi dosjen e Prokurorisë së Romës që përmban dëshminë e të penduarit të mafies italiane, Antonio Guastalegname.
Sipërmarrësi nga Vibo Marina, i cili ka treguar emrat e bashkëpunëtorëve që kishin kontakte me shqiptarët, duke iu referuar Valerio Navarras si lidhja mes trafikantëve shqiptarë dhe mafiozëve italianë (i cilësuar nga hetuesit njeri i afërt me bosin e Ndragetas në Zungri, Antonio Giuseppe Accorinti). Ajo që ra në sy ishte se i penduari fliste edhe për përfshirjen e një ministri shqiptar, që sipas të cilit lehtësonte trafikun e drogës.
Për këtë Famularo tha për “Zona Zero” se Guastalegname i njeh mirë dinamikat e krimit kalabrez. “Kemi pasur një ekskluzivitet për këtë dëshmi, kemi folur edhe për këtë politikan misterioz shqiptar. Referimet janë evazive, lidhja thoshte ai është mes një Robert Lazaj dhe Valerio Navarro-s. Nga operacioni i karabinierëve të Toskanës kanë zbuluar lidhjes mes narkotrafikut shqiptar e italian. Blihej nga shqiptarët dhe më pas shitej në veri të Italisë. Ai thoshte se kishte lidhje me një politikan të rëndësishëm në Shqipëri,” shprehet ai.
A i bën për të krijuar amulli mes këtyre personazheve?
“Mbi të gjitha jemi vetëm në fillim, është procesverbali i parë, me pjesët e hequra, të tjera gjëra do zbulohen shpejt. Do ketë hetime të tjera, flitet për trafik të lëndëve narkotike, për trafik armësh. Robert Laza është pika e lidhjes mes Valerio Navarro-s, i cili gjithashtu është pikë e lidhjes mes mafies shqiptare e italiane. Shqipëria është si kanal furnizimi. Është dhe aspekti politik i korrupsionit, e bën Shqipërinë një Meksikë të vogël të Europës”.
A ka të drejtë prokuroria italiane që të kërkojë më shumë lidhur me këtë politikanin shqiptar?
“Kjo është pakëz e ndërlikuar, se futet në sferën e juridiksionit evropian. Puna e drejtorisë së antimafias përqendrohet mbi narkotrafikun, do shihet kush janë shqiptarët. Puna e antimafias është të godasë, asgjësojë këto organizata që favorizojnë këto trafiqe. Më e ngushtë është aleanca midis Ndranghetta-s dhe mafias shqiptare. Do hetohet vetëm nëse politikani shqiptar kryen vepra penale në territorin italian”.