Inspektorët e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka zbuluar në zonën e “Selvisë” pranë qendrës së Tiranës një ambient ilegal i përshtatur për kazino. Pronari i biznesit, i identifikuar si S. Beqo, banues në Tiranë pasi ka parë prezencën e inspektorëve është arratisur nga kazinoja duke kyçur brenda biznesit të tij inspektorët që i shkuan për kontroll.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve për hapjen e derës, ndërsa brenda ambientit policia sekuestroi 9 kompjutera që përdoreshin për lojërat e fatit. Në total janë sekuestruar 9 kompjutera të lojërave të fatit të cilët kanë mbishkrimin “Apex” dhe “Games 4You”, ndërsa deri në mesditën e sotme policia dhe inspektorët e Lojrave të Fatit, nuk kanë qenë të informuar se ishte personi që posedonte këtë biznes të paligjshme në Tiranë. Ndërkohë pasi u kyçën nga pronari i kazinosë, inspektorët kanë njoftuar policinë për të kërkuar ndihmë, pasi ishin mbyllur brenda një kazinoje.
Njoftimi i Policisë:
“Sekuestrohen, në ambientet e një lokali, 8 makineta që përdoreshin për lojëra fati. Shpallet në kërkim pronari i tyre, i cili kishte vendosur në dispozicion lokalin, për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Gaminator 3″. Në kuadër të këtij operacioni u bë shpallja në kërkim e shtetasit:
– S. B., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në përdorim nga ky shtetas, në zonën e quajtur ”Selvia”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 makineta që përdoreshin për lojërat e fatit. Vijon puna për kapjen e shtetasit S. B. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.