Arrestohet 28-vjeçari në Vlorë, theu ‘arrestin shtëpiak’ dhe lëvizte me armë me vete

Finalizohet operacioni policor i koduar “Broke”, ndërsa është vënë në pranga një i ri që kishte thyer masën “arrest shtëpie”. Burime zyrtare nga policia e Vlorës bënë me dije se, bëhet fjalë për shtetasin Artan Hameti.

NJOFTIMI I POLICISË Operacioni, nga Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe qarkulloi përsëri me armë zjarri me vete, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë.

Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe qarkullonte në qytet, armë zjarri në motomjet, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Broke”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: A. H., 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Gjatë kontrollit në motomjetin pa targa, me të cilin qarkullonte ky shtetas, në lagjen “24 Maji”, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit.

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 02.02.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Loading...