Këngëtarja Ronela Hajati ishte përfaqësuesja e Shqipërisë këtë vit në festivalin ndërkombëtar Eurovision. Por kënga e saj ‘Sekret’ nuk arriti që të kualifikohej në finalen e madhe. Megjithatë, ndryshe nga zakonisht nuk ishte ky lajmi kryesor që do pushtonte mediat por performanca e saj skenike, përzgjedhja e veshjeve, koreografia deri tek përzgjedhja e këngës. Në një intervistë në emisionin “Rreze Dielli” u diskutua mbi atë çka përfaqësoi Ronela në Eurovision.
Për profesorin Edmond Zhulali ndër problematikat kryesore që kishte Ronela ishte koreografia e cila i lodhi vokalin duke bërë një performancë jo të saktë si dhe veprimet e pahijshme në koreografi.
Nuk po futem të diskutoj për vlerat e këngës. Unë kam qenë që kjo të kualifikohet por mendoj që performanca ndikoi dhe e lodhi atë vokalisht. Koreografia i ka kaluar masat e etikës skenike në një aktivtet siç është ky. Nuk është problem veshja por veprimet ishin të pahijshme. Edhe në klip kanë qenë disa veprime të tilla që për mendimin tim nuk duhet të ishin. Pra, ky institucion Rtsh a i ka bërë një kontroll për disa parime thelbësore? Këtu nuk ka pasur një kontroll dhe punët nuk janë bërë siç duhen.
Të dy kompozitorët bien dakord njëzëri që faji kryesor bie mbi RTSH e cila nuk ka strukturat e posaçme në përzgjedhjen e këngës. Kompozitori Enver Shëngjergji u shpreh se Ronela nuk duhet të binte pre e atyre që i servirën këtë lloj vorbe skenike:
“Kjo vajzë nuk duhet t’i mbajë të gjitha kusuret e këtij aktiviteti. Në fund ajo bëri aq sa dinte kompozoi një këngë, shkruajti një tekst dhe u paraqit në një festival.Në festival ka të drejtë të paraqitet kushdo. Për mua shkaktari kryesor është Rtsh. Dhe ajo që është më fatalja, është juria e cila bën një vlerësim të tillë, duke i dhënë çmimin e parë pa menduar mirë cfarë përfaqëson kjo tipologji e këngës.
Unë Ronelën nga ana e paraqitjes estetike, të veshjes, koreografisë, e kritikoj sepse është iniciatorja e kësaj vorbe skenike që u paraqit. Ajo nuk duhet të binte pre e kujtdo që ia ka serviur këtë look, këtë veshje, këtë koreografi. Dhe Ronela duke qenë bija e një njeriu të madh, që ka drejtuar RTSH, po të ishte i ati gjallë nuk do ta miratonte. Askush nuk ka dëshirë, pavarësisht se është skenike por nuk është në funksion të këngës”, tha Shëngjergji.