Sot janë zhvilluar sërish negociata mes maxhorancës dhe asaj pjese të opozitës që ka pranuar të bëhet pjesë e procesit në lidhje me emrin e Presidentit të Republikës. Sipas vendimit të Konferencës së Kryetarëve pak ditë më parë, Parlamenti do të ezaurojë ditën e hënë, datë 15 maj raundin e parë të votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Kjo do të jetë tentativa e parë, por siç u konfirmua edhe sot nga të gjitha palët, duket se raundi i parë do të ezaurohet pa një emër duke bërë që zgjedhja të lihet për katër raundet e tjera.
Kjo, pasi socialistët kanë konfirmuar se nuk do të dalin me një emër të tyrin në raundin e parë për t’i dhënë mundësinë edhe opozitës të jetë pjesë e procesit. Nga ana tjetër, pavarësisht mungesës së madhe të besimit mes palëve, Grupi Parlamentar i PD-së, përfshi edhe aleatët kanë pranuar që të bëhen pjesë e procesit duke dhënë edhe paralajmërime të forta ndaj socialistëve që të mos i përdorin ata vetëm për të legjitimuar procesin dhe më pas ta zgjedhin vetë Presidentin me votat e tyre.
Këtë e tha qartë edhe Enkelejd Alibeaj pak më parë duke theksuar se maxhoranca nuk mundet që të zgjedhë me votat e saj Presidentin pasi pjesë e Grupit Parlamentar të PS-së janë sipas tij edhe 4-5 deputetë të mbështetur nga Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA-të.
Alibeaj theksoi se një votim i tillë do të ishte jolegjitim, ndërkohë që nuk u takua me socialistët, ndryshe nga Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.
Çfarë ndodh tani?
Ndërkohë që të hënën ezaurohet raundi i parë pa një emër, kjo u jep kohë palëve që deri në raundin e dytë të gjejnë emrat, të cilët do të fusin në votim. Me kalimin e raundit të parë pa një emër, ulen shanset e opozitës për t’i bërë presion maxhorancës për dakordësi pasi në dy raundet e fundit, pra të katërtin dhe të pestin, PS do të ketë mundësi që ta votojë Presidentin edhe me 71 vota duke e legjitimuar këtë edhe me faktin se nuk mund ta çojnë vendin në zgjedhje sërish pas më pak se një viti e gjysmë pas prillit 2021.
Si zgjidhet Presidenti?
Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota.
Sipas ndryshimeve të bëra sëfundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota.
Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota.
Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin.
Taulant Balla:
Kemi zhvilluar një raund të dytë takimesh me 2 prej 3 grupeve të opozitës. Të dyja grupet që kemi biseduar ka pasur një gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë.
Mediu na ka informuar edhe për një qasje për të ardhur me një emër apo disa emra konkretë nga ana e opozitës. Dua t’i them që vazhdoj të shpresoj që nga ana e grupit të PD të ketë një vendimmarrje për të ardhur dhe ta në tryezën e bisedimeve.
Disponueshmëria jonë për t’i dhënë Shqipërisë një president jo të PS do vijojë të jetë dhe në ditët ne vijim por kjo ka disa afate. Në rast se deri tani kishim mundësi ti shtynim afatet tani s’kemi më asnjë mundësi. Në 16 maj është raundi i parë.
Afati i fundit i raundit të dytë është 23 maj. Janë disa biseda shumë të frytshme, sot më në fund kemi arritur të vendosim piketa dhe shina të një procesi që mund të na çoj tek një president sa më konsensual. Ne nuk duam ta vrasim procesin, kjo do të ishte kundërshti e asaj që po flasim. Kemi rënë dakord që të ulemi në vijim.
Enkelejd Alibeaj:
Duhet të përcaktohen disa kritere. Një president anti-komunist, pra nuk duhet të mos ketë anëtar i presidiumit, prokuror , gjyqtar e me radhë…Dëshmitë për angazhimin dhe çrrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh dhe këto kritere janë vlera kryesore.
Mund të them se jemi qëndruar fort tek çështja e kritereve dhe jemi të hapur t’i diskutojmë. Me rëndësi është procedura pasi garanton respektimin e kritereve, pra kemi qëndrimin që opozita duhet të propozojë, pra duhet një proces që të mos e shndërrojë në buzëkuq të mazhorancës, nuk do t’ja bëjmë këtë shqiptarëve dhe pres publikisht nga përfaqësuesit e mazhorancës të ketë qëndrimin e tyre.
Presim reagimin e tyre dhe në bazë të reagimit do të kemi një reagim tonin.