Deputetja demokrate Eralda Tase Bano ka kërkuar që Ministria e Kulturës të mbajë përgjegjësi për lejen që u ka dhënë vëllezërve Donald dhe Romeo Veshaj si dhe Elgit Dodës, që të xhirojnë videoklipin e tyre në muzeun e Korçës.
Ajo shkruan në një status në rrjetet sociale se si besimtare dhe artiste e dënon këtë vepër duke e cilësuar fyerje ndaj kishës dhe qytetarëve që përfaqëson ajo.
“U bëj thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa urgjente për situatën dhe Ministrisë së Kulturës i kërkoj të mbajë përgjegjësi për këtë vepër. Ky është një turp dhe një skandal i papranueshëm!”, shkruan deputetja.
Ministria e Kulturës duhet të mbajë përgjegjësi për lejen që u ka dhënë artistëve në fjalë që këta të fundit të kryejnë videoklipin në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, para ikonostasit të Rehovës.
Të nderuar qytetarë, si artiste mbështes plotësisht artin dhe të gjitha format e tij, por si besimtare e Krishterë Orthodokse dhe deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dënoj këtë vepër duke e konsideruar fyerje ndaj institucionit të kishës dhe qindra mijra qytetarëve që ky institucion përfaqëson.
Arti duhet të jetë mjet për bashkimin dhe frymëzimin e shoqërisë, por kufijtë e tij nuk mund të tejkalojnë atë që për shumë është themeli i tyre jetësor.
U bëj thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa urgjente për situatën dhe Ministrisë së Kulturës i kërkoj të mbajë përgjegjësi për këtë vepër. Ky është një turp dhe një skandal i papranueshëm!
Avokati Esmerald Xhafa ka paditur ministrinë e kulturës, drejtorin e muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe drejtorin e Muzeut të Fotografisë “Gjon Mili” në lidhje me videoklipin e vëllezërve Veshaj dhe Elgit Dodës të titulluar “Picaso” që është xhiruar në muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.