Prokuroria e Apelit të Vlorës nuk e pranon një vendim të Gjykatës së Apelit të këtij rrethi që lidhet me një ngjarje të rëndë të disa viteve më parë e që ka protagonistë dy vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj po nga Vlora.
Edhe pse çështja ka 9 vite që ka nisur, akti i kryer prej tyre është tejet i rëndë e për këtë shkak kjo Prokurori i kërkon Gjykatës së Lartë t’i dënojë me burg dy djemtë për shkak se një njeri ka mbetur i dëmtuar përjetësisht jo vetëm fizikisht. Shqyrtimi do të bëhet më 27 maj 2021.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do të shqyrtojë dosjen e dy vëllezërve, të cilët janë dënuar nga dy Gjykata të mëparshme për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 2013, kur Romeo dhe Donaldi ishin gjimnazistë. Rekursi është bërë nga prokurori i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj, i cili kërkon që dy vëllezërit të kryejnë dënimin në burg dhe jo t’u pezullohet ashtu si ka vendosur Gjykata e Vlorës dhe Gjykata e Apelit.
Dy gjykatat shpallën fajtorë dy vëllezërit për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim dhe i dënuan me 2 vite burg, por në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdhëruan pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.
NGJARJA
Detajet e ngjarjes së dikurshme janë pjesë e dosjes që u publikuar ditën e djeshme nga “Oranews” nga mësohet se ngjarja të ndodhur me 7 shkurt 2013 në afërsi të shkollës së mesme në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, si pasojë e një sherri të ndodhur mes disa personave, ku mësohet se është goditur me mjete të forta Arjan L., banues po në këtë lagje. Dy vëllezërit Veshaj ishin atëherë nxënës të shkollës së mesme “Reald”.
Më 6 shkurt 2013 rreth orës 13:30, Arjani ka qenë pranë shkollës i shoqëruar nga një person tjetër në pritje të të fejuarës së tij, e cila ishte nxënëse në këtë shkollë. Nga dosja mësohet se në kohën që vajza ka dalë nga shkolla afër saj ka kaluar një makinë, duke xhiruar gomat dhe bërë veprime provokuese, të cilat kanë shqetësuar Arjanin dhe menjëherë ky i fundit ka ndaluar drejtuesin e mjetit, që ka rezultuar të jetë Romeo Veshaj me të cilin ka debatuar dhe më pas të dy janë larguar.
Të nesërmen, rreth orëve të drekës, Arjani ka qenë po në afërsi të shkollës në shoqërinë e tre kushërinjve të vajzës në pritje të kësaj të fundit. Më pas, dy prej tyre janë larguar, ndërsa Arjani dhe njëri prej kushërinjve dhe vajza janë nisur në drejtim të një qendre tregtare po në lagje.
“Në këtë moment, Arjanin e kanë thirrur një grup personash mes tyre dhe Romeo dhe Donaldi. Fillimisht kanë debatuar me Arjanin e më pas e kanë goditur të gjithë me sende të forta. Më aktivë në këtë ngjarje kanë qenë dy të pandehurit Romeo dhe Donald Veshaj. Personat që kanë qenë në shoqërinë e Arjanit, kanë mundësuar shuarjen e konfliktit dhe dërgimin e tij në spitalin civil për dhënien e ndihmës mjekësore
TËRHEQJA E PADISË
Në përfundim të hetimeve me vendimin e datës 11 korrik 2013 është vendosur mosfillimi i çështjes penale, pasi i dëmtuari nuk është paraqitur për ekzaminim pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë dhe në vijim ka tërhequr ankimin e paraqitur lidhur me ngjarjen.
Por me shkresën e datës 5 gusht 2013, të dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore rezultonte së dëmtimet e Arjan L., në sherrin e 7 shkurtit ishin klasifikuar si plagosje të rëndë, pasi ato kanë dhënë dëmtim të rëndë, i konsideruar si shëmtim të përhershëm të fytyrës. “Konkretisht, i janë konstatuar thyerje e kockës së kokës, zhytje të dukshme në regjionin ballor në kokë, tronditje e trurit të shkallës së mesme. Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse dhe janë klasifikuar si plagosje e rëndë pasi kanë sjellë shëmtimin e përhershëm të fytyrës”, nënvizohet në dosje.
Kërkesa e Prokurorit
Në kërkesën e saj, Prokuroria pranon se më vonë marrëdhëniet mes të pandehurve dhe të dëmtuarit janë normalizuar, por kjo nuk justifikon gjykatën për të përcaktuar si mënyrë të vuajtjes së dënimit ndaj të pandehurve, atë të parashikuar nga neni 59 i Kodit Penal. Prokuroria thotë se duhet pranuar fakti se rrezikshmëria shoqërore e të pandehurve është e lartë pavarësisht moshës, kjo dhe për mënyrën dhe mjetet e përdorura nga të pandehurit në funksion të realizimit të mendimit krimit.
Gjithashtu, vepra penale për të cilat janë akuzuar është me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për Prokurorinë, rrethanat lehtësuese që janë marrë parasysh nga gjykata nuk mund t’i mjaftonte të lejonte atë që të aplikonte për të pandehurit pezullimin e dënimit me burgim. Prandaj më 27 maj 2022, Prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit të datës 5 prill 2017 të Gjykatës së Apelit të Vlorës dhe të datës 8 qershor 2015 të Gjykatës së Vlorës, duke mos aplikuar pezullimin e dënimit për të pandehurit./Shqiperiaime