Pacientja dhe punonjësi shëndetësor u lënduan pas defektit në ashensor, reagon QSUT

Qendra Spitalore Universitare ka reaguar për incidentin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në urgjencën e sëmundjeve të brendshme, gjatë transportit të një pacienteje për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike, në një prej ashensorëve.

Pacientja, e shoqëruar nga infermieri dhe barrelambajtësi, në dalje nga ashensori, pati lëndime, së bashku me barrelambajtësin, si pasojë e një defekti të ashensorit.

“Infermieri dhe stafi mjekësor i kanë dhënë menjëherë ndihmën e nevojshme pacientes dhe barrelambajtësit.

Më pas pacientja u konsultua nga specialistët për këtë lëndim, si dhe vijoi konsultat dhe ekzaminimet për sëmundjen dhe pas kryerjes së skanerit me kontrast, rezultoi me tromboemboli pulmonare, diagnozë për të cilën është në mbikqyrjen e ekipit mjekësor.

QSUT informon se, të gjithë ashensorët janë në një sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar për shërbimin e mirëmbajtjes, të cilat kryhen periodikisht, sipas kontratës në fuqi.

Pritet ekspertiza e mëtejshme për të vlerësuar shkakun e këtij incidenti.”. thuhet në njoftimin e QSUTS-së.

Loading...