Juristi Kreshnik Spahiu tregoi për “Top Talk” një gabim që ka bërë në politike dhe i ka kushtuar shumë. Ai shprehet se nuk është zhgënjyer nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha, por nga vetja, duke hedhur një hap të gabuar në politikë.
“Në 17 maj unë jam zhgënjyer nga vetja sepse nuk ia fal vetes atë gabim, që të krijoja një besim që Basha është kryetar i Partisë Demokratike. Unë bëra një gabim fatal, ndonëse kisha pak kohë dhe isha i ri në politikë, ndoshta më falen gabimet”, tha Saphiu.
Juristi shprehet se dikur kishte kërkuar arrestimin e Berishës kur ishte kryeministër dhe se duhet ta kishte kuptuar që Basha ishte thjesht një kukull në duart e tij.
“Duhet të kisha kuptuar dhe nuhatur që ai ishte thjesht një mesenxher dhe një kukull në duart e Sali Berishës, për këtë arsye unë nuk fajësoj as Sali Berishen dhe as Lulzim Bashën. Fajësoj veten që hodha një hap kaq të gabuar politik që më kushtoi shumë”, tha ai.
Kreshnik Spahiu është prej pesë vitesh larg politikës, ndërsa shprehet se zgjedhja e gabuar që ka bërë e ka shtyrë drejt vendimit.