Rastet e lisë së majmunëve janë identifikuar në vendet evropiane dhe amerikane, duke u dhënë autoriteteve shëndetësore një arsye tjetër për t’u shqetësuar në mes të pandemisë së vazhdueshme Covid-19 që është në vitin e tretë tashmë.
Ndërsa zyrtarët shëndetësorë po monitorojnë përparimin e rasteve, shpërthimi i sëmundjes është mjaft befasues pasi infeksioni është parë rrallë jashtë Afrikës deri më tani.
Sëmundja tani duket se po përhapet tek njerëzit që nuk kanë udhëtuar në Afrikë dhe rastet janë zbuluar kryesisht tek të rinjtë. Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë kanë theksuar se rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët.
Lija e majmunit është një virus që e ka origjinën tek kafshët e egra si brejtësit dhe primatët, dhe herë pas here kërcen te njerëzit. Shumica e rasteve njerëzore kanë qenë në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, ku sëmundja është endemike.
Lista e vendeve ku sëmundja është identifikuar ditët e fundit:
Zyrtarët shëndetësorë në Spanjë raportuan shtatë raste të lisë së majmunëve dhe Portugalia përditësoi numrin e rasteve të konfirmuara në 14 të enjten, pasi një shpërthim i sëmundjes u zgjerua në Evropë.
Në Spanjë, të gjitha rastet e raportuara deri më tani përfshinin burra në Madrid, thanë zyrtarët. Zyrtarët shëndetësorë aktualisht po testojnë 22 raste të tjera të dysuara, tha Antonio Zapatero i departamentit rajonal të shëndetësisë.
Italia të enjten raportoi rastin e saj të parë të lisë së majmunëve, duke iu bashkuar një numri vendesh të tjera evropiane dhe të Amerikës së Veriut në zbulimin e sëmundjes endemike në pjesë të Afrikës.
Një person në Suedi ka një rast të konfirmuar të lisë së majmunit, thanë autoritetet shëndetësore.
Në Mbretërinë e Bashkuar, deri më tani janë raportuar nëntë raste.
Zyrtarët shëndetësorë në Kanada po hetojnë deri në 13 raste në Montreal.
Një ditë më parë, Massachusetts në Shtetet e Bashkuara raportoi një rast të lisë së majmunit në një burrë që udhëtoi së fundi në Kanada dhe zyrtarët shëndetësorë po shqyrtojnë nëse ajo lidhet me shpërthime të vogla në Evropë.
Sëmundja u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958, kur pati dy shpërthime të një sëmundjeje “të ngjashme me linë” në majmunët hulumtues – pra, emri i lisë së majmunëve. Infeksioni i parë i njohur njerëzor ishte në vitin 1970 – në një djalë nëntë vjeçar në një pjesë të largët të Kongos. Sëmundja e rrallë zakonisht shfaqet me temperaturë, dhimbje muskulore, ënjtje të nyjeve limfatike, të dridhura, lodhje dhe skuqje në duar dhe fytyrë.