Një person i armatosur 21-vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme në Gjermaninë veriore të enjten, duke plagosur rëndë një anëtare të stafit përpara se të arrestohej, tha policia.
Ngjarja ka ndodhur në gjimnazin Lloyd në qytetin port të Bremerhaven.
Të shtënat me armë në shkolla janë relativisht të rralla në Gjermani, e cila ka disa nga ligjet më të rrepta të armëve në Evropë.
Por një valë e fundit e incidenteve ka tronditur vendin.
Policia e Bremerhaven tha se i dyshuari hyri në ndërtesën e shkollës pak pas orës 09:00 (07:00 GMT) dhe qëlloi mbi një anëtare femër të stafit, e cila ishte “plagosur rëndë”.
Alarmi u ngrit shpejt dhe policia e ndaloi të dyshuarin në një lokacion aty pranë, menjëherë pas kësaj, duke i sekuestruar armën.
Gruaja e lënduar është duke u trajtuar në spital, thanë ata.
Prokurori Oliver Constien tha se hetuesit po përpiqeshin të sqaronin nëse personi i armatosur kishte lidhje me viktimën.
Sipas mediave lokale, oficerët kishin shkuar në vendngjarje pasi një nxënëse telefonoi policinë nga banja e shkollës pasi dëgjoi të shtëna armësh, duke shkaktuar një dislokim të madh oficerësh dhe punonjëssh shpëtimi.
Mësuesit dhe nxënësit ndoqën protokollin duke u mbyllur në klasat e tyre, thanë raportet.
Deri në orën 14:00, policia tha se forcat speciale kishin përfunduar kontrollin e ambienteve dhe personat e fundit ishin larguar nga ndërtesa.
Nxënësit dhe stafi po merrnin këshillim psikologjik, shtuan ata.
Michael Frost, kreu i departamentit të shkollave në Bremerhaven, u tha gazetarëve se të enjten ishin vetëm rreth 140 njerëz në terren në vend të 550 zakonisht, për shkak të provimeve, ekskursioneve dhe klasave të jashtme.
Javën e kaluar, hetuesit në qytetin Essen thanë se kishin penguar një sulm me bombë në shkollë pasi arrestuan një 16-vjeçar, i cili dyshohej se kishte planifikuar një “sulm terrorist nazist”.
Në janar, një student 18-vjeçar hapi zjarr në një sallë leksionesh në Universitetin e Heidelberg në Gjermaninë jugperëndimore, duke vrarë një grua të re dhe duke plagosur tre të tjerë përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes dhe t’i kthente armën vetes.
Në vitin 2009, një ish-nxënës vrau nëntë studentë, tre mësues dhe tre kalimtarë në një shkollë me armë zjarri në Winnenden, në shtetin gjerman të Baden-Wuerttemberg. Më pas autori i armatosur vrau veten.
Në vitin 2002, një ish-student 19-vjeçar vrau 16 persona në një shkollë në qytetin qendror të Gjermanisë, Erfurt. Më pas edhe ai vrau veten.
Masakrat e Winnenden dhe Erfurt u kryen me armë të ligjshme dhe e nxitën Gjermaninë të shtrëngonte ligjet për armët.