Ja çfarë po kultivojnë shkencëtarët në Hënë, hera e parë që ndodh në histori

Shkencëtarët kanë mbjellë bimë në dheun e marrë nga sipërfaqja e Hënës. Kjo është një shenjë që tregon se njerëzit mund të jetojnë një ditë në Hënë, mund ta sigurojnë atje ushqimin dhe të prodhojnë ujin.
Studiuesit e Universitetit të Floridës thonë se kanë mbjellë bimë në dheun e marrë nga Hëna dhe kanë zbuluar atë, që një nga studiuesit e quan “bazën e ëndërrave eksploruese”. Është hera e parë, që shkencëtarët tregojnë se jeta mund të krijohet nga regolith-i, materiali i marrë nga sipërfaqja e Hënës.

Ata thonë se zbulimi i tyre, i publikuar në revistën Communications Biology (Biologji komunikative), mund të ketë ndikim në eksplorimet e ardhshme në Hënë.

Rob Ferl, një nga bashkëautorët e studimit, thotë, se zbulimi i tyre mund të ndihmojë austronautët që ndodhen me mision në Hënë, të nxjerrin ushqimin e tyre dhe të ulin nevojën për furnizime të shpeshta nga Toka. “Kur njerëzit zhvendosen si civilizim, jo për të eksploruar për disa ditë, por kur shkojmë diku për të qendruar, ne gjithmonë marrim me vete agro-kulturat tona”, thotë Ferl.

Përveç përmirësimit të nivelit të sigurimit të ushqimit në hapësirë, studimi sjell edhe përfitime të tjera. Ai mund të ndihmojë astronautët të pastrojnë ajrin, të mënjanojnë dioksidin e karbonit nga atmosfera dhe të prodhojnë ujë të pastër.
Si mbillen bimët në dhè Hëne

Studiuesit mbollën fara Arabidopsis (një lloj bari guri) në dhè Hëne marrë rreth 50 vjet më parë, gjatë tre misioneve të veçanta Apollo në Hënë: Apollo 11 dhe 12 në vitin 1969 dhe Apollo 17 në vitin 1972.

Ata e ndanë dheun në pjesë 1 gramëshe dhe e hodhën në enë. Aty shtuan ujë, dritë dhe ushqim për bimët. Ata mbollën po ashtu një pjesë tjetër fare në hi vullkanik, një subtancë që është e ngjashme me dheun hënor, për të shërbyer për kontroll.

Shkencëtarët panë në më pak se 48 orë mbirje të bimëve në të dy grupet, por disa ditë më vonë vërejtën se bimët në dheun e Hënës ishin të stresuara. Bimët në regolith dukeshin të mpira krahasuar me ato në hirin vullkanik.

Por Ferl thotë, se fakti që bimët ishin në gjendje të mbinin në përgjithësi është një zbulim pozitiv. “E rëndësishme është se para se të bëhej ky eksperiment, askush nuk e dinte nëse bimët, sidomos ato me rrënjë do ishin në gjendje të ndërvepronin me dheun shumë djegës, shumë antagonist siç është regolithi hënor”, thotë Ferl.

Vështirësia mbetet tek sigurimi i provave

Ekspertimenti në vetvehte ishte i lehtë, por gjetja e materlialit të nevojshëm për të bërë eksperimentin ishte e vështirë. Ekzistonte vetëm një sasi e vogël dheu hënor për të bërë eksperimentin, 12 gram gjithsej, sa një lugë gjelle, dhe duhej bërë kërkesa disa herë gjatë një dekade rresht, për ta marrë nga Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA.

“Këto prova janë thesare natyrore me vlera të mëdha”, thotë bashkëautorja e studimit, Anna-Lisa Paul. “Kur punojmë me to ne i ndryshojmë ato. E para prej ajrit (ato vendosen në kontakt me ajrin) dhe ujin, ato nuk janë më origjinale dhe humbasin natyrën e tyre arkivore, e cila është shumë, shumë e mbrojtur.”

Përfitime për misionet e ardhshme në Hënë

Zbulimi është me rëndësi, mbase më me rëndësi se kurrë ndonjëherë, kur kihet parasysh se NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës shpresojnë që të rikthejnë njeriun në Hënë me programin e tyre, Artemis.

Ekzistojnë plane për të bërë nisjen e parë të misionit Artemis pa ekuipazh në vitin 2022 dhe misionin me ekuipazh një dekadë më vonë. Edhe vende të tjera janë duke bërë plane të vizitojnë Hënën vitet e ardhshme, përfshirë këtu Japoninë dhe Kinën.

Por shkencëtarët ende nuk e dinë se si do të reagojnë bimët e Tokës në mjedisin hënor, real, të pasimuluar. Hëna është shumë e thatë në krahasim me Tokën dhe kjo mund të ndryshojë aftësinë e bimëve për të mbirë.

Loading...