Rama: Me aeroportin e Vlorës po ndërtojmë një ‘fabrikë të madhe buke’

Kryeministri Edi Rama duke folur në Konferencën Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”, u ka bërë thirrje banorëve në qytetin jugor që të kujdesen për pastërtinë e zonave ku jetojnë.

“Dje pashë shifrat e marsit: 53.7% plus vizitorë në vendin tonë. Këto nuk janë shifra të zakonshme. Nuk është periudhë tipike e turizmit tek ne. Netë-qëndrimet janë rritur me dy herë. Që janë mundësi të shtuara për konsumin.

Ne na duhen shumë aeroportet se nuk janë për thjesht të lënë hapësira të atdheut në dispozicion të UFO, janë që të sjellin në vend sa më shumë konsumatorë të shërbimeve që ofrojmë. Për ata që thonë s’kemi bukë, do të ndërtojmë një fabrikë të madhe buke. Aeroportet sjellin bukë në kuptimin simbolik.”

Në fokus së fjalës së kreut të qeverisë ishte një mjedis më i pastër dhe investimet e ardhshme për të rritur kapacitetet akomoduese të qytetit bregdetar.

“Lungo Mare, në aspektin estetik, kënaqësisë që krijon ajo hapësirë. Përtej asaj që duket në atë zonë kanë ndodhur edhe gjëra që nuk duken. Njerëzit që kanë prona në atë zona janë më të pasur sot,” tha Rama.

Sipas tij, Vlora po hyn në një fazë kur nevoja për akomodim të atyre që vijnë do të rritet në pikën e një krize shumë të madhe. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se rritja e çmimit në strukturat e shërbimit është shenjë e rritjes ekonomike.

“Rritja e çmimeve, në aspektin e industrisë turistike, është shenja më e parë e rritjes së një ekonomie tërësore.

Është sfida jonë që të shtymë sa më shumë për ndërtimin e infrastrukturës së mikpritjes në Vlorë që të kemi sa më shumë shtretër. Mungesa e 12,000 shtretërve, duke pasur parasysh edhe ndërtimin e aeroportit.”

Loading...