Vetëmbrojtja është hapi i parë për të përballuar ditët e ftohta me të cilat po përballet i gjithë vendi ynë, sot e në ditët në vijim, veçanërisht të rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, ISHP paralajmëron se temperatura trupore mund të bjerë nën 35°C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet, duke rrezikuar shëndetin, gjë që shkakton vazokonstriksion kutan dhe përshpejtim të ritmit kardiak.
Ja disa këshilla të vlefshme:
Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.
Shmangni qëndrimin gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë dhe sidomos kur jeni të lagur.
Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe në orët e vona të darkës.
Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.
Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale.
Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi.
Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here.
Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23°C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Po ashtu mund të mbani një enë me ujë për të siguruar lagështinë e ajrit.
Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme, ashtu si dhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.
Për të rritur mbrojtjen imunitare të organizmit gjatë të ftohtit, krahas ushqyerjes së shëndetshme, rekomandohet bërja e vaksinave kundër gripit sezonal dhe marrja e përbërësve ushqimorë kryesisht ato nga substanca probiotike.
ISHP rekomandon që të gjithë personat me faktorë risku (përveç foshnjave nën 6 muaj) duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti. /atsh