Lajm i fundit/ Huliganët holandezë e italianë përplasen me policinë rrugëve të Tiranës, 19 policë e 4 tifozë të plagosur, dëbohen nga Shqipëria disa prej tyre, zhvillimet minutë pas minute…

Mbrëmja e së martës duke u gdhirë e mërkurë, ka qenë një natë e vështirë në Tiranë. Kjo pasi 24 orë para festës së finales së shumëpritur në ‘Air Albania’ mes Romës dhe Feyenoord, ka pasur incidente dhe tensione në të gjithë Kryeqytetin. Përplasja ka nisur në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, një prej zonave më të frekuentuara për jetën e natës në kryeqytet, ku 200 tifozë ultras të Feyenoord kanë përdorur shkopinj dhe gurë ndaj uniformave blu. Uniformat blu kanë ndërhyrë por tifozët e Feyenoord nuk u qetësuan, duke u nisur me shkopinj drejt zonës së stadiumit. Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj. Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 19 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie. Policia ka shoqëruar 60 persona, 48 tifozë të Romës 12 të Feyenoord. Vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme. Ndërkohë që pati një moment shumë të rëndë kur një makinë policie u bë copa me gurë. Përplasje ka patur para Kryeministrisë te Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, Drejtoria e Policisë së Tiranës, pranë rrugës ‘Myslym Shyri’ si dhe te Hotel ‘Hilton’, pranë “Pallatit me Shigjeta” ku ndodhen të akomoduar lojtarët e Feynoord

Policia: U plagosën 19 punonjës policie, njëri u godit me thikë, 80 tifozë u deportuan

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 19 punonjës policie dhe është dëmtuar një automjet policie. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shpërndarjen e tyre si dhe kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme. “Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit, 60 shtetas tifozë problematikë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë. Atyre u janë sekuestruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj, për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Po ashtu në njoftimin e Policisë së Shtetit thekson se 80 tifozë huliganë italianë të skuadrës së Romës u depërtuan dhe ndaj tyre do të merren masa që të përjashtohen nga ambientet sportive për disa kohë. “Gjithashtu, dje në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit”, deklaron Policia
Policia: Faleminderit qytetarëve për bashkëpunimin

Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit ka falënderuar qytetarët për shmangien e zonave ku janë akomoduar tifogrupet dhe se kanë shmangur lëvizjet me automjete gjatë ditës së djeshme. “Policia e Shtetit vlerëson maksimalisht edhe qasjen e ditës së sotme, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht dhe seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë. Do t’u mbeteshim mirënjohës që kjo mënyrë sjellje të vazhdonte përgjatë gjithë ditës së sotme, deri në përcjelljen e tifozëve pas ndeshjes.

Gjithashtu apelojmë për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike”, deklarojnë blutë e kryeqytetit.

Policia e Shtetit bëri thirrje për shmangien e veprimeve të dhunshme, që nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin. Të pajisur me gur dhe sende të forta në duar, tifozët nga Rotterdam tentuan të shkojnë drejt atyre të Romës, pranë stadiumit ‘Air Albania’, por u ndaluan nga policia dhe u shpërndanë në disa lagje të kryeqytetit. Ndërkohë që ka pasur tensione edhe nga tifozët nga Italia. Ata kanë qenë te Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe janë përleshur me policinë. Situata është vënë nën kontroll ndërkohë që forcat e policisë janë në terren, të mbështetura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe homologët e tyre nga Holanda dhe Italia.

Mediat italiane: Aktet e dhunës, një turp për tifozët e Romës

Mediat italiane mëngjesin e djeshëm i kanë kushtuar disa lajme rrëmujave dhe përplasjeve në rrugët e Tiranës. Policia e Tiranës njoftoi me anë të një deklarate se numri i tifozëve të Romës dhe Feyenoord-it është ndalur pas incidenteve të ndodhura të martën në zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar, ku do të zhvillohet finalja e Conference League së planifikuar për mbrëmjen e sotme, ka shkuar në 60 pas përplasjes me forcat e rendit vendas. Nga këta persona të shoqëruar në komisariat, 48 janë me kombësi italiane dhe 12 holandeze. Dhe gjithashtu 12 është edhe përditësimi i fundit për numrin e policëve të plagosur, ndërkohë që tashmë janë tre tifozë të Romës të plagosur.

Policia e Shtetit “në këmbë” për finalen e Conference League, 2500 efektivë në terren

Pak orë nga nisja e finales së madhe të Conference League mes Romës dhe Feyenoord, Policia e Shtetit i mori të gjitha masat, duke sjellë një numër të madh efektivësh nga komisariatet e tjera. Ashtu siç ka lajmëruar më parë, Policia e Shtetit i mori të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij eventi kaq madhështor, teksa në terren do të jenë 2500 efektivë policie si asnjëherë më parë. Ata u vendosën në porte, aeroporte dhe në zona të nxehta të Tiranës. Kujtojmë që ky numër kaq i lartë të efektivë që janë në terren kanë ardhur edhe nga rrethet si Elbasani e Vlora. Numri më i madh e efektivë ndonjëherë nëpër protesta apo evente në Shqipëri nuk i ka kaluar 2000. Vlen të përmendet se në ndihmë të autoriteteve tona, në ndihmë erdhën edhe disa forca të Policisë së Kosovës, të cilët mbërritën në Tiranë pasditen e djeshme duke iu bashkuar forcave që mundësuan zhvillimin e finales së parë të një kompeticioni madhor në vendin tonë.

Garda e Republikës mori nën mbrojtje të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë

Garda e Republikës mori nën mbrojtje të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë. Marrja në mbrojtje e këtyre institucioneve është pjesë e planit të masave. Garda u pozicionua në të gjitha institucionet kryesore që ndodhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku edhe ishte përqendrimi më i madh i tifozëve.

Loading...