Deaje të reja janë zbardhur nga vrasje e efektivit të patrullës së përgjithshme, Çaush Saliasi nga kolegu i tij Ludian Zaimi brenda ambienteve të komisariatit nr. 3 në Tiranë.
News 24 ka publikuar dëshminë e dhënë përpara organeve ligjzbatuese të një efektivi i cili ka qenë dëshmitar okular i krimit të rëndë që ndodhi brenda ambienteve të komisariatit.
Në dëshminë e dhënë për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, efektivi thotë se ishte me viktimën te shkallët e komisariatit në momentin kur Ludian Zaimi i kërkoi të shtyhej më tutje pasi do “sqaronte muhabetin” me Çaush Saliasin.
“Kur ndodhi ngjarja unë kam qenë në pjesën e oborrit të komisariatit. Në ato momente Çaush Saliasi ishte te shkallët dhe ishte duke dredhur një cigare. I fola Çaushit dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Në këtë çast Ludjan Zaimi doli nga klasa dhe erdhi pas meje dhe unë e pyes si je dhe pse je i mërzitur?
Më tha: Nuk kam asgjë, por hapu dhe shtyhu pak pas. Unë i them pse, por ai ngul këmbë dhe më thotë sërish, shtyhu pas shtyhu. Në atë moment ai nxjerr armën e shërbimit dhe i them çfarë po bën kështu, por ai nuk u kthye dhe u drejtua me armën në dorë drejt Çaush Saliasit dhe i thotë këtij të fundit “Tani do të sqarohemi bashkë”.
Menjëherë Çaush Saliasi u ngrit në këmbë dhe u fut te klasa qe t’i shmangej, por Ludian Zaimi e qëlloi me armën e shërbimit, edhe pse Çaushi ra në tokë, Ludiani e qëlloi sërish dhe herë të tjera”, përfundon dëshminë polici me iniciale K.Q.