Pallati në Vlorë rrezikon të shembet, Drejtoria e Emergjencave thirrje banorëve : Largohuni menjëherë!

Drejtoria e Emergjencave në Vlorë u ka bërë thirrje 40 familjeve që banojnë në një pallat të vjetër në qytetin bregdetar që të largohen nga ndërtesa pasi rrezikon të shembet. Pallati parafabrikat ndodhet në lagjen “24 Maji”.

Leja e ndërtimit që i është dhënë një familjeje në katin e parë të këtij pallati parafabrikat për të ndryshuar strukturën e apartamentit duke shembur muret e brendshme të betonit, ka sjellë dëme të mëdha.

Në këto kushte, autoritetet në Vlorë u kanë kërkuar 40 familjeve të largohen menjëherë nga ndërtesa dhe bashkia u ka akorduar atyre bonos qiraje. Banorët të shqetësuar se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, po qëndrojnë në pritje të një vendimi nga Instituti i Ndërtimit.

Sipas tyre ikja me qira është e thjeshtë por nuk e dinë çfarë do të bëhet me strehimin afatgjatë të 40 familjeve. Një prej banorëve ka thënë se për këtë problem ka informuar edhe kryeministrin Edi Rama.

“Djali im i bëri një e-mail Kryeministrit, ku ia shpjegoi të gjitha. Nuk na ka kthyer përgjigje. Pallati sa vjen e shkatërrohet më shumë. Unë që jam në katin e pestë e ndiej më shumë. Më është shkëputur soleta nga tjetra, 10 milimetra. Ç’binte jashtë, më hynte brenda”, ka thënë banori.

Loading...