Festa e Amantias, respekti për antikitetin si respekt për të sotmen. Enrik Mehmeti, Amantia duket se u është kthyer ditëve të saj të hershme këto ditë, me organizimin e një aktiviteti që synonte të promovonte këtë perlë antike të jugut. Nën drejtimin dhe organizimin e Kryetarit të Bashkisë së Selenicës, Z.Pëllumb Binaj me mbështetjen e përfaqëësuesit të kësaj zone në Kuvendin e Shqipërisë, Z.Vullnet Sinaj, në këtë qytet të lashtë antik, në fushën e stadiumit Olimpik të këtij qytetërimi që ka qenë nga më të suksesshmit dhe të famshmit për kohën, u organizua një takim i konceptuar si festë me pjesmarrjen e shumë personaliteteve dhe banorëve të krahinës e më gjerë.
Aktiviteti festiv i konceptuar nga Nen/Kryetarja e Bashkisë Selenicë, Znj.Silvana Islamaj dhe bashkëpunetori i saj në moderimin e këtij evenimenti Z.Klevis Bedinaj synonte të promovonte këtë qytet antik në hyrje të këtij sezoni turistik, ku synohet vëmendja e pushuesve shqiptarë dhe të huaj.
Në këtë aktivitet që zgjati rreth tre orë, ishin kordinuar elemente të historisë, artit, këngës, kulturës, turizmit dhe sportit të cilet u pasqyruan me cilesi në këtë aktivitet. Mbas fjalimeve përshendetëse të Z.Binaj i cili e vuri theksin tek resurset që ka kjo hapësirë dhe punën qe po behët për t’i vënë ato në të mirë të banorëve të zonës, fjalen e mori deputeti i zonës Z.Sinaj, i cili vlerësoi historinë e këtij qytetërimi të lashtë.
Zv/ Ministrja e Turizmit Znj.Vilma Bello foli për rëndesinë dhe potencialin e madh qe ka ky set Arkeologjik jo vetëm për gjithë zonën e bashkisë Selenicë por dhe për të gjithe kulturën shqiptare në zhvillimin e turizmit kulturor. Deputeti Anduel Tahiraj, me origjinë nga kjo zonë theksoi se të gjithë bashkë duhet të bëjnë çdo gjë për tu kujdesur dhe ruajtur me fanatizëm për të mos e dëmtuar këtë qytet të lashtë që na nderon dhe bën krenar të gjithëve.
Më tej përshëndeti një tjetër djalë i kësaj zone, Komisar Engjellush Avdulaj, si një ish-sportist boksier, e më vonë trajner i ekipit të boksit Dinamo i kualifikuar dhe diplomuar si trajner ndërkombëtar në universitetin Semenluis të Budapestit në Hungari me një bursë të fituar nga komiteti olimpik botëror.
Duke u nisur edhe nga detyra e ish sekretarit të federatës shqiptare të boksit, ai theksoi se ka qenë një dëshirë e kahershme e tij edhe pse në kufijtë e spektaklit, për të zhvilluar aktivitete të sportit të boksit në këtë stadium magjik të këtij qytetërimi të lashte, gjë që me rastin e organizimit të kësaj feste u bë realitet.
Z.Avdulaj theksoi se së bashku me birin e kësaj zone, trajnerin e apasionuar dhe arbitrin ndërkombëtar te boksit Z.Baftjar Abazaj organizuan dhe zhvilluan në këtë ambjent të magjishëm me sportistë boksierë të ekipit të Apolonisë së Fierit dhe ekipit të Alpetrol të Patosit, dy ndeshje boksi dhe dy ndeshje kikboksi.
Momenti kur iu varën në qafë medaljet e nderit këtyre sportistëve të rinj e të talentuar nga personalitetet që ndodheshin aty, tregojnë rëndësinë që ka sporti për të rinjtë dhe për gjithë shoqërinë tonë sot e në të ardhmen.
Në kohën kur lojrat sportive zhvilloheshin në këtë stadium olimpik 2500 vjet më parë gjatë organizimit dhe zhvillimit të sportit në lashtësi në këtë stadium mblidheshin sportistë dhe atletë nga të gjitha qytetet e lashtësisë dhe zhvillonin aty gara të ndryshme si: gara në ecje, hedhje shtize, vrapim dhe ndeshjet e mundjes. Është e pranuar tashmë nga historiografia se gjatë zhvillimit të këtyre lojërave, nga të gjithë qytet-shtetet pjesëmarrëse të kohës që ishin në luftë me njëra-tjetrën, miratohej dhe zbatohej një armëpushim që quhej, pushimi olimpik.
Ky veprim bëhej dhe ndërmerrej në mënyrë që atletët të mund të udhëtonin nga qytetet e tyre dhe të merrnin pjesë në vendin ku do të organizoheshin këto lojëra dhe si një shenjë e vullnetit të mirë. Çmimet për fituesin, zakonisht ishin kurora me gjethe ulliri ose dafine. Lojërat e zhvilluara në atë kohë u bënë një mjet politik, i përdorur nga qytet-shtetet të cilat për të mbrojtur dominimin ndaj rivaleve të tyre dhe për të arritur fitore përfaqësoheshin në aktivitet me atletët më të mirë që kishin.
Zhvillimi i këtyre lojërave në këtë stadium olimpik të kohës ishte një ngjarje e shënuar dhe feste e madhe për të gjithë banoret e këtyre territoreve. Mbretërit, familjet e tyre, historianet, skulptoret dhe poetet më të mirë të kohës ishin gjithmonë të ftuar të merrnin pjesë e te ishin ne stadium për të ndjekur këto lojëra.
Me dëshirën dhe shpresën se qytetërimit tonë të lashtë të Amantias dhe stadiumit të saj olimpik do i rikthehen “zhurmat” dhe gjallëria që burojnë e vijnë nga lashtësia, do i rikthehen njerëzit vizionarë që me punën dhe investimet e tyre do ta zhvillojnë këtë vend, do i rikthehen vizitorët, turistë nga vendi dhe bota të cilët do të magjepsen nga ky vend me kaq shumë histori. Shpresojmë t’i rikthehen artistët, historianët, piktorët dhe skulptorët të cilët do të krijojnë dhe modelojnë në këtë vend kryeveprat e tyre.