Disa shpërthime raportohet se janë shkaktuar nga zjarri që po djeg prej mesditës së sotme sipërfaqe të mëdha pyjore në ishullin e Sazanit.
Situata vijon të jetë e vështurë, ndonëse është angazhuar një numër i madh zjarrfikësish dhe personel nga Forcat e Armatosura.
Municione të vjetra të hedhura mes shkurreve janë kthyer në rrezik, ndërsa ende nuk kanë nisur operacionet për shuarjen e flakëve nga ajri.
Dy helikopterë të modelit Cougar që mund të realizojnë këtë lloj ndërhyrjeje, janë ende në servis.
“Si pasojë e riaktivizimit të vatrës së zjarrit në zonën jugore të ishullit të Sazanit, që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull.
Terreni dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar tej mase ndërhyrjen e trupave, ndërkohë që si një ish-repart ushtarak, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.
Trupat në terren vazhdojnë përpjekjet edhe gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që janë marrë masa për zëvendësimin dhe shtimin e tyre”, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.