Vunoi – Qendër autentike dhe atraktive për turistët!

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.

Po vijon puna për rikualifikimin e Qendrës Historike të fshatit Vuno. Projekti i ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon shndërrimin e Vunoit në një qendër autentike dhe atraktive jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor të zonës.

Vunoi është një nga fshatrat më piktoresk të rivierës shqiptare. Nuk dihet se sa mijë vjet më parë njerëzit u ndalën në këto anë dhe u mahnitën nga relievi i përthyer por mrekullisht i bukur.

Një ndër elementët më të spikatur të këtij fshati janë shtëpitë, të cilat veshin shpatin e malit duke krijuar një kompozim kompakt, ku vëllimet e ndërtesave ngrihen njëri mbi tjetrin dhe krijojnë përshtypjen e një ndërtimi të vetëm gjigant.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane. /atsh

Loading...