Ekziston një video që e ve me shpatulla pas muri Daniele Bedinin. Bëhet fjalë për një kamera sigurie me mikrofon, e cila ndodhej poshtë një biznesi në Marinella di Sarzana, që duket se e ka kapur pas mesnate 32-vjeçarin, natën mes të shtunës dhe të dielës, orar që përputhet me kohën e vrasjes, teksa kalonte me një Fiorino (kamionçinë) të bardhë.
Me të ndodhej një grua e veshur me ngjyra të hapura. Gjithçka sugjeron se bëhej fjalë për Nevila Pjetrin.
Sipas asaj që shkruan Corriere della Sera, që citon hetuesit italianë, pamjet janë tronditëse. Bëhet fjalë për një ekzekutim të mirëfilltë. Bedini e detyron prostitutën shqiptare të ulej në gjunjë dhe më pas e vrau me pistoletë.
32-vjeçari dyshohet se brenda atyre 24 orëve vrau edhe transin Camilla Bertolotti, trupi i së cilës u gjet 24 orë më vonë.
Videoja në fjalë, shkruajnë mediat italiane, është në dorë të hetuesve, së bashku me pamjet e kamerave të sigurisë nga shtëpia e Bedinit.
Ai mësohet se është filmuar teksa zbret nga kamionçina rreth orës 06:00 të mëngjesit të së dielës, pasi ishte zbuluar trupi i Nevila Pjetrit në zonën e Parmignola.
Një tjetër detaj që del në dritë është se 35-vjeçarja u vra me 3 plumba pistolete, e jo 2 siç është raportuar deri më tani.