Trupi i pajetë që u gjet i dekompozuar në malin e Gramozit mesditën e së shtunës (11 qershor) dyshohet se i përket 29-vjeçarit Sherif Mukaj, që u zhduk në nëntor të vitit të kaluar.
Xhaxhai i tij, Artur Mukaj tha se mbrëmjen e së dielës ishte në polici ku e informuan se “nipin ta kanë vrarë”.
Ai tha për mediat se i riu nuk ishte djalë që ngatërrohej me punë të pista e drogë, pasi i ati i dërgonte para nga Amerika, si edhe merrte pensionin e tij në Shqipëri.
Xhaxhai i 29-vjeçarit theksoi se nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e nipit, ndërsa kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më shpejt.
“Isha deri dje vonë në Korçë në polici. Më thanë që nipin e kanë vrarë. Nuk ishte djalë që të ngatërrohej me punë të pista. Ai ishte i mbyllur, nuk hapej me njeri, ishte shumë i qetë dhe s’kishte nevojë të merrej me drogë sepse i dërgonte babai lekë nga Amerika.
Në qershor i dërgoi babai 5000 dollarë, merrte pensionin e të atit 200 mijë në muaj, dhe në tetor para së të humbte kontaktet i sollën 700 dollarë.
Nuk kam asnjë njeri që mund të dyshoj në lidhje me vrasjen, dua që policia ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen.
Të gjejë njerëzit që e futën në këtë mesele dhe që e vranë. Nuk jemi në gjendje të flasim sepse na ka shokuar shumë kjo që ka ndodhur”, tregoi ai.