Llogaritet si një nga bukuritë më të mëdha natyrore që posedon Kosova, por Ujëvarat e Mirushës dhe parku të cilit i përkasin, vazhdojnë të mos kenë infrastrukturë të përshtatshme.
Zona është në kategorinë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “Monument natyror”. Ky monument ka ngecur së zhvilluari përkundër asaj se me vendim të vitit 2012, Qeveria e pati shpallur Zonë të veçantë të natyrës.
Kjo bukuri e rrallë me kushte shumë të mira natyrore, që nuk po shfrytëzohet nga institucionet e vendit për zhvillim të turizmit, vlerësohet të jetë një humbje e madhe për vendin. Kjo, në mungesë të investimeve aty.
Të pakënaqur me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet monumenti janë edhe vizitorët që frekuentojnë atë zonë. Ata ankohen për mungesë të hapësirave për rekreacion, mungesën e shkallëve dhe rrugës së asfaltuar.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka shprehur gatishmëri që të ndihmojë në këtë drejtim. Porse shton se kjo bie më shumë në përgjegjësi të Ministrisë së Ambientit.
Në anën tjetër, është kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, që thotë se Ujëvarat e Mirushës ka mbetur në këtë gjendje për shkak të pamundësisë financiare. Morina thotë se për shkak të pamundësisë të menaxhimit publik, nuk po mund ta japin as me koncension privato-publik.
Ai shprehet i bindur se Qeveria e Kosovës do të mund të fillonte që gradualisht të përmirësojë gjendjen në të cilën Ujëvarat e Mirushës ndodhen sot. Kjo pasi sipas tij, ka modalitete të cilat mundësojnë tërheqjen e investitorëve.
Në mungesë të përmirësimit të infrastrukturës aty ndër vite, edhe njohës të fushës së turizmit nuk kanë heshtur përballë një situate të tillë, duke bërë që këta të fundit të hartojnë projekte se si do të duhej të dukej monumenti.
Ndryshe, monumenti Ujëvarat e Mirushës njihet për një biodiversititet shumë të pasur, me ujëvara, kanjone e peisazhe shumë të bukura, shpella, mundësi kreacioni e shumë mundësi përfitimi. Lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo-hidrologjik. /KosovaPress