Ekonomia shqiptare vijon të përfitojë nga ecuria pozitive e partnerëve kryesorë tregtarë, në Eurozonë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ekonomia e Eurozonës ka vijuar të rritet në tremujorin e tretë, ndonëse me ritme të ngadalësuara.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në këtë tremujor rezultoi me rritje 1.7%, nga 2.1% në tremujorin e mëparshëm.
Rritja ekonomike në vendet e Eurozonës është mbështetur tek kontributi pozitiv i
shpenzimeve konsumatore dhe investimeve. Ndërsa treguesit paraprakë të zhvillimeve ekonomike, si edhe ata të besimit, sugjerojnë vijimin e rritjes ekonomike edhe në tremujorin e fundit, çka pritet të ndikojë edhe në rritjen e ekonomisë shqiptare.
Lidhur me treguesin e inflacionit në Eurozonë, vihet re se, në muajin nëntor 2018, ai ra në 2.0%. Kjo lëvizje është pasojë e zbutjes së rritjes së çmimeve të energjisë, që vazhdojnë të jenë kontribuuesi kryesor në përbërjen e inflacionit. Ndërsa inflacioni bazë vijon të jetë i ulët dhe presionet inflacioniste të qëndrueshme vlerësohen të përmbajtura, citon BSH-ja në raportin e publikuar së fundi mbi Politikën Monetare./ATSH/