Nostalgjia për Vlorën dhe burrat domate
Nga Laureta Petoshati
Vlora dhe turizmi
Ka mbi një vit që në Vlorë po bëhen shumë paudhësi për të zhdukur historinë dhe nga mbretëresha e turizmit duan ta kthejnë në “arixheshkën” e merhumizmit. Rasti i denoncuar në media për tentativën tinzare të zhvendosjes pastaj të grabitjes të shkollës emblemë të Vlorës, siç ishte ajo e Shkollës Tregtare, ishte preludi i të gjitha paudhësive që do të vinin më pas. Çdo “ndërtim” që prishte historinë dhe emblematikën e një qyteti emblematik, u bë në fshehtësi, por fillimisht duke gënjyer dhe duke lënë vlonjatët të besonin se qeveria, apo më mirë kryeministri, do të bënin më të mirën për Vlorën dhe banorët e saj me gënjeshtra tredimensionale dhe ditën për diell. Kështu ndodhi me tre sheshet kryesore të qytetit : Sheshin e Flamurit, Sheshin “Pavarësia”, Sheshin “4 Heronjtë” para Bashkisë, të cilat u betonuan dhe u shpërfytyruan duke u mbyllur pamjen e bukurisë dhe atë të detit.
Në çdo vend në Vlorë gjendet një kantjer i hapur dhe sezoni turistik e gjen Vlorën si gjithmonë mos më keq. Dhe gjithmonë gjendet i njëjti fajtor: Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dr. Dritan Leli , si gjoja pengues i zhvillimit të Vlorës. Në fakt, Leli ka qenë deri diku pengues i paudhësive të zhvillimeve në Vlorë, të cilat sipas tij dhe çdo vlonjati shkelnin vijën e kuqe. Duke qenë rreth shtatë vjet në drejtim të Bashkisë, ai dhe stafi i tij e dinë mirë se Vlorën gjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, e mbushin përveç emigrantëve dhe të huajve, një numër i madh bashkatdhetarësh nga trojet tona dhe në diasporë, të cilët vijnë në Vlorë jo vetëm për detin, rërën, kuzhinën, por mbi të gjitha për motive patriotike si Meka dhe Jerusalemi i shtetit të parë shqiptar. Po tani për çfarë të vijnë? Për hangarët në mes të Sheshit të Flamurit dhe të Monumentit që nuk është monument? Për Shtëpinë e Pavarësisë dhe firmëtarët që janë si në mes të një pylli dhe janë shpërndarë sikur do gjuajnë laraska? Kush ia mbylli pamjen detit, sheshit, ku gjendet busti i Isa Boletinit në Skelë? Po Sheshi para Bashkisë ku është dorëzuar Ultimatumi i Luftës së Vlorës, apo nga u nisën nazifashistët për në kampet e shfarrosjes në masë , pse u mbyll me malin e betonit? Kryetari i Bashkisë Vlorë u nis për në Kosovë para ca kohësh për të promovuar turizmin, por çfarë turizmi të promovohet? Me ato çmime që janë në treg dhe me çmimin e naftës janë rritur të gjitha çmimet hoteliere , madje dhe çadrat e shezllonët janë sa frëngu pulën. Nëse është për det e rërë kanë gjetur të tjera rrugë, sepse këtu nuk ka më turizëm patriotik.
Në fakt as qytetarët e Vlorës nuk e përballojnë dot jetën në Vlorë gjatë sezonit turistik. Nuk mund të imagjinojnë çmimet për të qëndruar në rërë e në çadra. Por më shumë Vlora ka të tjera probleme.
Problemi i parë dhe i dhimbshëm është mungesa e ujit të pijshëm. Kryeministri i vendit përmendi para pak kohësh Israelin, që e nxjerr ujin e pijshëm nga deti duke e çkripëzuar, ndërsa në Vlorë uji derdhet në det dhe vlonjatët ngelen duke pritur ujin, që e mbajnë nëpër bolierë. A e dinë njerëzit me statistika se në Vlorë nga uji i bolierave sa po vjen dhe po bëhet masive një sëmundje që quhet ‘Helibakteri Pylori? Përse nuk sigurohet uji i pijshëm 24 orë?
Problemi tjetër i rëndësishëm për Vlorën është mungesa e transportit hekurudhor. Kemi një qeveri që pretendon se është socialiste dhe duhet të jetë sociale, por në fakt mendon për oligarkët e naftës dhe as që i duhen njerëzit e thjeshtë, madje i dha leje për karburant firmës “Kastrati” gjatë pandemisë në Anëdeti (Lungomare, siç e quajti Duce dhe tani mafiozët e injorantët me shkollë).
Problem tjetër është mungesa e semaforëve. Të ngrihen piramida si në Egjipt në Vlorë, të hidhen tonelata me beton kot së koti për gjoja zbukurime dhe të mos vendosen semaforë për njerëzit ky është kulmi. Natyrisht tonelatat me beton justifikojnë vjedhjet, ndërsa semafori nuk i duhet “bagëtisë”, sepse kjo gjë nënkuptohet se kur një popull nuk e pyet për asgjë e quan bagëti dhe kështu e trajton. Ata që kanë zëvendësuar semaforët janë policët e bashkisë, të cilët rrinë si hunj në mes të kryqëzimeve.
Vlora ka plot probleme të tjera, por këto ishin ato që janë më jetiket, pa të cilat nuk mund të kuptohet jo një qytet, por as dhe një fshat europian. Po kush i pyet vlonjatët? Konkretisht kush i pyeti vlonjatët për Sheshet, për Anëdetin, që thonë se është mrekulli, por që ka shkatërruar rërën dhe është ku e ku me ato që janë në vende të zhvilluara. Po për anijet me naftë që do ti bëjnë naftën Vlorës? A e di kryeministri dhe ato ministreshat e tij që janë bërë si matrioshka ruse se ne vlonjatët e kemi hedhur në det AMBO-n, pra naftën dhe Aleancës për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës iu bashkua dhe Dr. Anna Kohen me parrullën: “Ta ruajmë Vlorën si sytë e ballit!”
Vlora dhe ndjenja e lirisë
Shumica e njerëzve nuk flet. Sepse nalt-hajnitë i lënë pa punë e pa bukë. Nëse kundërshton, nëse shkruan, nëse flet, do të kesh ofendime, kërcënime, mënjanime sikur je në kohën e komunizmit. Qytetarët vlonjatë sesa të merren me shumë drejtuesa që si thotë populli “ikën nga dhitë dhe u vunë zabitë” dhe të kërcënojnë e të fyejnë, ikin fare nga Vlora, madje dhe nga Shqipëria. Vlorës kështu i ikën shpirti qytetar dhe duket si një arrixhoftë që merr rrugën dhe s’ka një vend për të. Këtu mbetet vetëm merhumizmi. Përse u katandis kështu ky qytet? Mendoj se Vlora si një qytet i lidhur me Luftën Nacionalclirimtare, nuk mund të kapërdinte dot mohuesit e luftës sepse ka një numër të madh djemsh dhe vajzash të rënë dëshmorë. Firmat piramidale, humbja e lekëve në to dhe brutaliteti i treguar ndaj protestuesve, humbja e jetëve, bënë që vlonjatët jo se nuk donin demokracinë, por nuk donin drejtuesit e atyre partive, ndaj të cilëve e kishin humbur besimin, sepse nga kokëfortësia dhe dashuria ndaj pushtetit patën krijuar prag tragjedie kombëtare. Të rrish në pushtet e të riciklohesh disa herë se gjoja je i pazëvendësueshëm, kjo quhet minim demokracie. Këtë gjë po e shoh në Vlorë. Vlonjatët janë midis dy zjarreve. E kuptojnë se rilindja po i varfëron, por dhe Berishën nuk e duan. Ky është një udhëkryq i rrezikshëm. Dikush mund ta quajë Vlorën me mentalitet komunist, por as kjo nuk është e vërtetë. Vlora njihet për ndjenjën e saj të lirisë. Vlora ka 90 intelektualë të nivelit europian të pushkatuar nga Enver Hoxha. Është qytet që u përket jo vetëm dëshmorëve, por dhe shënjtorëve dhe kush ua prek qoftë dhe me fjalë i lëndon. Vetë fakti që nuk u përfshinë në prishjen e vendeve të kultit dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis feve dhe pakicave të tjera e tregon këtë realitet. Mendoj se armiqtë e Shqipërisë e kërkojnë me çdo kusht prishjen e Vlorës. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës më 6 maj 1920 shkruante se “ Vlora është tona dhe duhet të jetë. Se ndofta ajo e bëri Shqipërinë, por ndofta dhe ajo mund ta prishi…” Prishja fillon që nga denigrimi dhe lënia pa punë e intelektualëve dhe e njerëzve që vijnë nga familje patriotike. Shumë pak janë qëndrestarë dhe të tjerët largohen matanë detit. Ata që ikin matanë detit, fitojnë lirinë, por humbasin atdheun dhe rrënjët. Ata që ngelen këtu mbajnë vendin e punës dhe kanë frikë nga liria, fenomen të cilin e qartëson filozofi dhe psikologu Erich From te “Arratisja nga liria”, ku nga njëra anë njerëzit kanë shpëtuar nga zinxhirët dhe nga na tjetër ka një zbrazëti, ka një ankth sepse nuk janë të zotët, apo nuk kanë mundësi të zgjedhin vetë. Kjo është arësyeja që shumë vetë thonë se ishte mirë në kohën e Enver Hoxhës se çdo njeri ishte në punë dhe ngjiten pas partisë, që i mban në këmbë si shkopi pemën e domates. Por dhe këtu nuk janë të sigurt dhe ankthin e shuajnë me raki. Këtë fenomen të këtyre njerëzve, që unë i shoh që në mëngjes me raki e shpjegon shumë mirë psikanalisti më i njohur italian Massimo Recalcati te libri “Tundimi i murit”, ku shkruan se: “Kemi një aspiratë për liri dhe, në të njëjtën kohë, ankth përballë lirisë; njeriu nxitet të jetë rrënjësisht i lirë dhe, në të njëjtën kohë, nxitet të shmangë marramendjen nga liria, të sabotojë lirinë e vet. Në lidhje me këtë prirje të fundit, Nietzsche flet për një “nostalgji për tokën” që do të mundonte edhe lundërtarët më të mëdhenj. Në mes të horizontit të pafund të detit ne jo vetëm përjetojmë dalldinë nga liria, nga zgjerimi i kufijve, nga takimi me të pafundmen, por, kujton Nietzsche, “nostalgjia për tokën” të bën gjithmonë pritë, duke të kujtuar dheun, shtëpinë tënde. Kjo do të thotë se liria nuk mund të jetë kurrë e shkëputur plotësisht nga ankthi i lirisë.”
Kohët e fundit kam parë ankthin e shumë studentëve vlonjatë, që studiojnë në Tiranë dhe sapo vjen ora e fundit e të premtes vinin me vrap në shtëpi. Dikush mund të thoshte se vlonjatët shkojnë në Vlorë se ajo është bërë e bukur. Nuk ishte kjo. E llogarisnin që të ushqeheshin në shtëpi e të merrnin ushqim dhe për javën që vinte se çmimet në Tiranë nuk të ngopnin me bukë. Këtë krizë e kam parë vetë kur isha studente në vitet e fundit të regjimit komunist. Por këtë gjë ca nga sedra e ca nga frika nuk e thoshnim atëherë, por nuk e thonë as tani. Por nuk janë vetëm vlonjatët në ankth, por dhe vetë kryeministri, që natyrisht akthin e nxjerr jo te rakia, por te të tjera gjëra, aq sa vlonjatët nuk e quajnë socialist, por me nofkën “mallist”. Ai kur e sheh keq veten në ato liritë e tij ekzotike, kur njerëzit bëjnë protesta, ka atë “nostalgjinë për tokën”, për “atë shkopin e domates”, që të qëndrojë në këmbë. Vlora nuk është strehë e atyre që ia shpërdorojnë besimin, që i futin thikën pas shpine, që nga nipër duan të bëhen baballarë. Jo. Vlora, atë shprehjen e Jul Cezarit: “Edhe ti, Brut?”, ta kthen: “Edhe ti, Mut?”
Se Vlora është më shumë frymë se qytet, se Vlora është Vlorë, as e majtë dhe as e djathtë dhe atë shkopin ku ti do të mbështetesh ta thyen mbi shpinë. Sepse këtë tokë e kemi larë me gjak dhe nuk na i ndyn dot kush.
Nostalgjia për Vlorën dhe burrat domate!/ Nga Laureta Petoshati
Loading...