‘Sezon i përgjakur’/Katër të vrarë brenda pak orësh, Alibeaj: ‘Shteti është dorëzuar përballë krimit, ja kush është përgjegjësi’

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj teksa i referohet vrasjes së dyfishtë në Vlorë dhe dy vrasjeve që ndodhën mbrëmë një në Elbasan dhe një në Sarandë thotë se shteti është dorëzuar përballë krimit.

Sipas tij, sezoni i përgjakur i kësaj vere e kanë bërë edhe më të vështirë jetën për qytetarët, ndërsa përgjegjës për këtë situatën është kryeministri Rama dhe e gjithë struktura që ai drejton.

Ai thekson se largimi i kësaj qeverie dhe drejtuesve të saj është garanci se siguria mund të rikthehet dhe qytetarët të kenë garanci për jetën e tyre.

“Dy vrasje brenda pak orësh dëshmojnë dhe njëherë se shteti është dorëzuar përballë krimit.

Sezoni i përgjakur i kësaj vere, krimi që shëtit rrugëve i pashqetësuar e kanë bërë edhe më të vështirë jetën për qytetarët. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë të kriminalizuar është e kryeministrit dhe e gjithë strukturës që nën drejtimin e tij është e përfshirë në botën e errët të krimit ose është e paaftë për të menaxhuar situatën e rënduar.

Janë të njëjtat hallka të zinxhirit me drejtues Edi Ramen që kriminalizuan votën e shqiptarëve duke deformuar vullnetin e qytetarëve të 25 prillin e vitit të kaluar.

Për shqiptarët është e qartë se qëndrimi në pushtet i qeverisë Rama është tregues i qartë se situata nuk mund të ndryshojë. Vetëm largimi i kësaj qeverie dhe drejtuesve të saj është garanci se siguria mund të rikthehet dhe qytetarët të kenë garanci për jetën e tyre”, thekson Alibeaj.

Loading...