Ja cila është media më e madhe në vend

Në një vend popullsi rreth 2.8 milionë banorë dhe me një treg të vogël reklamash, ka shumë televizione, sidomos të fokusuara në dhënien e lajmeve.

Qarkullimi vjetor i 13 televizioneve kryesore private në vend vlerësohet në rreth 50 milionë euro në vitin 2021, me një rritje prej rreth 24% në krahasim me vitin e mëparshëm, kur vendi ishte në pandemi që preku ndjeshëm dhe buxhetet e marketingut të kompanive që bëjnë reklama, çka bëri që pjesa më e madhe e televizioneve të shënonin stanjacion, apo rënie të të ardhurave.

Të dhënat u përpunuan nga Monitor, bazuar në bilancet e deklaruara të viteve 2019-2021.

Por, pjesa më e madhe e të ardhurave gjenerohen me diferencë nga të tjerët, nga dy televizionet më të mëdha në vend, TV Klan dhe Top Channel, që kanë raportuar së bashku gati 63% të totalit të të qarkullimit vjetor të 13 televizioneve.

“TV Klan” është më i madhi në vend, me të ardhura prej 2 miliardë lekësh (17 milionë euro), me rritje 42.3% me bazë vjetore. Por, televizioni thekson në raportin e tij vjetor se rritja e të ardhurave ishte si rrjedhojë e shitjes së licencës për transmetimin e eventeve sportive “La Liga” në territorin e Kosovës dhe Shqipërisë. “Përsa i përket zërit të shpenzimeve kemi gjithashtu rritje, kryesish shpenzime të personelit me rreth 20%, si rrjedhoje e rekrutimit të punonjësve për hapjen së kanalit Klan News. Për rritjen kanë pasur ndikim edhe shpenzime të tjera të aktivitetit, kryesisht ato për blerjen e pantentave për eventet sportive dhe filma me rreth 98%”. Fitimet e TV Klan në vitin 2021 ishin 230 milionë lekë, me një rënie prej rreth 4% në krahasim me vitin e mëparshëm.

“Top Channel” raportoi të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh (13.2 milionë euro), me rritje 16% me bazë vjetore. Top Channel thekson në raportin vjetor se një nga pikat e forta të tij është shikueshmëria e lartë në kanalin ‘You tube’. Sipas raportit, “edhe gjatë viteve 2022-2023 do të ketë prioritet investimet në përmirësimin e infrastuktrurës teknologjike, investime te filluara gjatë 2021 – 2022”. Prej tre vitesh Top Channel po rezulton me fitime të larta, ndërsa më parë kishte rezultat minimal. Në vitin 2021 fitimi para taksave ishte 204 milionë lekë, me rritje pothuajse 10% me bazë vjetore.

Në vitin 2021, televizioni “A2” ka kaluar në të tretin privat më të madh në vend, me të ardhura 391 milionë lekë (3.3 milionë euro), pas një rritjeje me 24.2% të të ardhurave.

Në vend të katërt ka kaluar “Vizion Plus”, që pa një rënie të të ardhurave në 2021 me 5%, në 362 milionë lekë ( 3 milionë euro).

“News 24”, që në 2020-n ishte televizioni i katërt më i madh nuk e ka dorëzuar ende bilancin e 2021-t. Në 2020-n të ardhurat e tij ishin gati 3 milionë euro.

“Euronews”, i hapur vitet e fundit ka kaluar në televizionin e gjashtë më të madh në vend, me një rritje të qarkullimit vjetor me 33%, në 2.4 milionë euro.

Televizionet e tjera kanë të ardhura prej më pak se 1.5 milionë euro në muaj.

Edhe fitimet, me përjashtim të Klan dhe Top Channel (që fitojnë para taksave 1-7-19 mln euro në vit) janë minimale, (nga 10-100 mijë euro në vit) duke treguar për një treg jo tërheqës nga ana e përfitueshmërisë, pavarësisht rendjes së shumë bizneseve për të hapur televizione. /Monitor

Loading...