Ka mbërritur në portin e Vlorës njëra prej dy anijeve, që u njoftua nga Edi Rama që do të merrej me qira për prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas Ramës, ato pritet të përmbushin 15% të kërkesës së vendit për energji.
Qytetarët e Vlorës janë mbledhur në protestë mëngjesin e sotëm për të kundërshtuar mbërritjen e anijes. Ata shprehen se ndotja që ajo do të shkaktojë në bregdetin e Vlorës është e lartë pasi pritet të djegë rreth 600 ton naftë në ditë.
Protestuesit shprehen se një katastrofë e tillë do të largojë turistët përdundimisht.
Anija gjigante përmban dy platforma të cilat do të ndosin në masë detin dhe mund të lënë pasoja për dekada me radhë nga emetimet e rrezikshme që lëshojnë.
DEKLARATAT E PROTESTUESVE
“Jemi të angazhuar për të reaguar për diçka që po ndodh sot, por që mund të ketë pasoja të rrezikshme për të gjithë gjirin e Vlorës në 30 vitet e ardhshme.
Protesta do të vazhdojë në ditët në vijim. Çështja është shumë serioze.
Kjo anije ka të inkorporuara dy platforma që do të instalohen te triporti, porti te peshkatarëve. Dy platforma super gjigande që do të djegin 600 ton naftë të rëndë në ditë. Kjo është katastrofë.
Kjo sasi nafte që do të digjet është sikur 100 mijë makina të bëjnë xhiro 100 kilometra brenda ditës. Jo vetëm katastrofë mjedisore por edhe ekonomike, sidomos për turizmin.
Nuk mund të bashkëjetojë një turizëm me një industri nafte, me super emetimet. Është një gjenerator përbindësh”.