Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur linë e majmunit Emergjencë Ndërkombëtare në korrik të këtij viti. Mirëpo, epidemiologu Ilir Alimehmeti jep sqarimet se përse ishte e panevojshme nga ana e OBSH etiketimi i kësaj sëmundje si një emergjencë.
Në një shkrim të gjatë, Alimehmeti thekson ndër të tjera se lija e majmunit është sëmundje e njohur mirë prej mbi gjysmë shekulli dhe përkufizohet si e vetëkufizueshme. Ai thotë se transmetimi i sëmundjes është shumë i ulët dhe si rrjedhojë kurba e infektimeve bie vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëtejshme.
Mjeku sjell në vëmendje gjithashtu se shpallja e Emergjencës Ndërkombëtare më 23 korrik 2022 ndodhi kur tashmë rastet kishin filluar qartësisht rënien.
Komenti i plotë:
Për epidemiologun Ilir Alimehmeti OBSH shpalli linë e majmunit Emergjencë Ndërkombëtare në një mënyrë të panevojshme. Mjeku ka dhënë sqarimet se
“Nëse mund të zgjidhet, nuk ka nevojë për shqetësim dhe, nëse nuk mund të zgjidhet, shqetësimi nuk shërben për asgjë.”
Cit.: Dalai Lama
Në mënyrë krejtësisht të panevojshme dhe kundër vendimit të komitetit të ekspertëve të OBSH-së, drejtuesi i OBSH-së vuri veton më 23 korrik 2022, duke e shpalluar linë e majmunit një Emergjencë Ndërkombëtare të Shëndetit Publik (PHEIC – Public Health Emergency of International Concern).
– Lija e majmunit është sëmundje e njohur mirë prej mbi gjysëm shekulli dhe një sëmundje që përkufizohet si “e vetëkufizueshme” që do të thotë:
– në nivel individual: sëmundje që shërohet vetë pa ndihmë specifike
– në nivel komunitar: transmetimi i sëmundjes është shumë i ulët dhe si rrjedhojë kurba e infektimeve bie vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëtejshme.
???????? Sipas raportit të fundit të përbashkët të ECDC-së (European Centre for Disease Prevention and Control) dhe OBSH-së vërejmë qartësisht se rastet kanë rënë fare qoftë në nivel Europian, qoftë në nivel Ballkanik.
Gjithashtu vërejmë qartë se shpallja e Emergjencës Ndërkombëtare më 23 korrik 2022 ndodhi kur tashmë rastet kishin filluar qartësisht rënien.
Nga ana tjetër, ECDC dhe OBSH na tregojnë se, që nga 7 marsi deri më 13 shtator 2022 (mbi 6 muaj):
– janë identifikuar 23.837 raste në 43 shtete në Europë;
– 98.6% e rasteve janë meshkuj, pra transmetimi ka qartësisht një model gjinor;
– 97% e rasteve janë meshkuj që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj (MSM), (? kujdes të mos rrëshkasim në stigmatizim, por të jepen këshillat parandaluese të duhura);
– 86.2% e rasteve janë meshkuj në moshën 18-50 vjeç;
– 35% e rasteve janë HIV-pozitivë;
– 226 raste (0.9% e rasteve) kanë pasur nevojë për kujdes klinik (nuk është deklaruar statusi HIV i tyre);
– 5 raste (1 ndër 4.767 raste) janë shtruar në terapi intensive (nuk është deklaruar statusi HIV i tyre);
– 3 raste (1 ndër 7.946 raste) kanë humbur jetën (nuk është deklaruar statusi HIV i tyre).
Pra, miqtë e mi:
– risku i infektimit për komunitetin e gjerë ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i ulët;
– risku i infektimit për komunitetin e MSM-ve ka qenë i moderuar;
– risku i sëmundjes së rëndë mbetet shumë i ulët.
Prof. Asc. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave e Shqipërisë